×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi: Arritja e një marrëveshjeje për njohje reciproke Kosovë-Serbi është një hap drejtë NATO-s

    Reporteri
    04 Prill 2020 | 15:39

    Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se 71 vjet me parë ka hyrë në fuqi Traktati i Atlantikut Verior, baza legale e themelimit të NATO-s. Që nga ajo periudhë, sipas tij NATO-ja ka shërbyer për ruajtjen e paqes, demokracisë dhe sigurisë së botës perëndimore e demokratike.


    “Roli i NATO-s dhe domethënia e saj për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe dinjitetit njerëzor është i njohur më mirë se kudo tjetër te populli i Kosovës.Falë bashkëpunimit dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në vitin 1999, i është dhënë fund dhunës sistematike ndaj popullit shqiptar nga ana e regjimit të Millosheviçit”.

    Thaçi deklaroi se Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike, për paqe dhe fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

    “Jemi mirënjohës ndaj vendeve anëtare të NATO-s, të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rolin dhe kontributin e tyre historik për lirinë dhe rrethanat e reja që kanë krijuar për popullin tonë”.

    “Aspirata jonë e përhershme drejt NATO-s vazhdon të na drejtojë edhe sot dhe jemi duke u angazhuar maksimalisht që, sa më parë, Republika e Kosovës të bëhet pjesë e saj. Arritja e një marrëveshjeje për njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një hap i nevojshëm që përshpejton agjendën tonë integruese në NATO dhe OKB”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!