×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi: Heshtja e ndërkombëtarëve për Reçakun ia hapi gojën Serbisë për të mohuar krimin

    Reporteri
    10 Dhjetor 2019 | 13:57

    Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak. Ai tha që derisa ndërkombëtarët nuk vijnë të paktën për homazhe tek këto Komplekse Memoriale në Kosovë, kjo lloj amnistie i jep mundësinë Serbisë për të mohuar krimin e kryer, njofton Klan Kosova.

    ”Fakti që ndërkombëtarët nuk vijnë të bëjnë homazhe e të sjellin një lule të paktën, atëherë kjo lloj amnistie ia jep mundësinë që Serbia t’i mohojë këto masakra. Përderisa nuk ndëshkohen ata i mohojnë”.

    ”E ardhmja nuk ndërtohet duke mohuar krimet edhe madje duke etiketuar dhe fyer të vrarë në Kosovë. E ardhmja ndërtohet duke pranuar fajësinë dhe kërkuar falje lidershipi i Serbisë. Heshtja e ndërkombëtarëve ia ka hapur gojën dhe e ka amnistuar lidershipin aktual të Serbisë që të pretendojë të mohojë këtë krim”.

    Ky veprim i Presidentit Thaçi erdhi në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, dhe në kohën kur shteti i Serbisë ka mohuar Masakrën e Reçakut.

    ”Sot kam zgjedhur të vizitojë Reçakun që është pika kulminante e masakrave të shtetit të Serbisë që ka kryer kundër popullatës civile në Kosovë në kuadër të fushatës së gjenocidit të ushtruar nga shteti i Serbisë”.

    ”Serbia ka kryer në Kosovë rreth 400 masakra kundër civilëve shqiptarë. Ka vrarë rreth 1300 fëmijë ndërsa aparati shtetëror i tyre ka dhunuar rreth 20 mijë gra në të njëjtën kohë kemi rreth 13 mijë shqiptarë civilë të vrarë. Ritheksoj: Reçaku shënon pikën kulminante të masakrave dhe krimit kundër njerëzimit të kryer nga shteti i Serbisë në Kosovë”.

    I pari i shtetit të Kosovës, tha se Kosova është duke punuar maksimalisht për të respektuar të drejtat e njeriut pa dallim qytetarësh për të ardhme euroatlantike, njofton Klan Kosova.

    ”Sot është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut për çka shteti i Kosovës po punon maksimalisht por në të njëjtën kohë ne gjithmonë duhet të kalojmë të kaluarën që të ecim gjithmonë përpara dhe per të ardhme të sigurt pa dallim të qytetarëve për të ardhmen tonë euroatlantike”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!