×
  • Lajme
  • Sport
  • Lajme

    Thaçi kishte qëndruar bashkë me Drogban vetëm një ditë pas intervistimit nga Specialja

    Reporteri
    22 Nëntor 2020 | 21:31

    Raportet publike të Gjykatës Speciale kanë përgënjeshtruar deklarimet e ish-presidentit Hashim Thaçi se nuk ishte ftuar nga Specialja për t’u intervistuar si i dyshuar.


    Për herë të parë në Hagë, Hashim Thaçi kishte udhëtuar më 12 dhjetor 2019, ndërsa vetëm një ditë pas ai kishte qenë së bashku me ish sulmuesin e Chelseas, Didier Drogba në Monaco, në forumin ndërkombëtar “Paqja dhe Sporti”.

    Hashim Thaçi disa herë publikisht kishte deklaruar se nuk ka pranuar ftesë nga Specialja.

    Mirëpo në raportin e publikuar nga ana e Gjykatës Speciale për kërkesën për arrestim të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, prokurori ka përmendur një intervistë të Thaçit dhënë për televizionin T7, më 1 prill të 2020, kur kishte deklaruar se nuk është intervistuar nga ana e Gjykatës Speciale.

    “Nuk jam marrë në pyetje, por është krejt normale me mu bo ftesa. Edhe nesër me ardhë ndonjë ftesë, nuk është shqetësim imi. Janë intervistuar rreth 220 njerëz, nuk është fare problem”, ishte shprehur Thaçi.

    Në raportin e hartuar nga Dhoma e Prokurorit të Specializuar citohet kjo deklaratë e Thaçit, duke thënë se nuk është ftuar asnjëherë nga Gjykata Speciale.

    “Thaçi flet nëse ai ishte intervistuar nga Dhomat e Specializuara. Thaçi në fakt ishte dorëzuar në një thirrje të SPO-së më 17 nëntor 2019 dhe u shfaq për herë të parë në Hagë për intervistë më 12 Dhjetor 2019”, thuhet në kërkesën për arrestimin e tij.

    Sipas këtij dokumenti, tashmë publik, Thaçi për herë të parë është intervistuar më 12 dhjetor 2019 në Hagë.Vetëm një ditë pas intervistimit ai kishte udhëtuar për në Monako ku ishte takuar me princin e Monakos Albert II.

    Mirëpo, përveç me princin e Monakos, Thaçi në Monaco ishte takuar edhe me sulmuesin e mirënjohur afrikan, Didier Drogban.

    “Forumi Ndërkombëtar “Paqja dhe Sporti” na bëri sivjet bashkë edhe në Principatën e Monakos, ku mbrëmë fola për sukseset e vajzave dhe djemve të talentuar të Kosovës në sporte të ndryshme, duke lartësuar flamurin tonë në çdo cep të botës”, kishte shkruar Thaci më 13 dhjetor në profilin e tij në Facebook.

    Në fotografitë e publikuara nga Hashim Thaçi në Facebookun e tij, shihet edhe ish futbollisti Didier Drogba që qëndron në krahë të tij.

    Kosova e ka gëzuar gjithnjë përkrahjen e Monakos, sidomos për anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe në forume sportive.

    Bashkë me Hashim Thaçin kishte qenë edhe ish zëvendëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!