×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi-shefit të diplomacisë në BE: Hiqna vizat

    Reporteri
    15 Janar 2020 | 13:39

    Bisedën telefonike me shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, e ka kumtuar tash edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.


    Me të thotë të kenë diskutuar për perspektivën evropiane dhe zhvillimet në Kosovë e rajon.

    Në njoftimin për media nga presidenca, thonë se Thaçi dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së u pajtuan për nevojën e themelimit sa më shpejtë të institucioneve të reja qeverisëse në Kosovë.

    “Jemi të vetëdijshëm që na presin detyra të mëdha dhe se është e nevojshme që sa më parë të kemi Qeveri të re, që do të përballet me sfidat dhe do t’i realizojë obligimet ndërkombëtare që ka Kosova”, u shpreh presidenti Thaçi.

    Thaçi, thuhet në kumtesë, ka theksuar se Kosova është e përkushtuar t’i përfundojë reformat që ka nisur dhe të cilat janë përcaktuese për anëtarësimin e Kosovës në BE.

    Presidenti Thaçi kërkoi që BE-ja ta përmbushë obligimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme.

    “Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet. Parlamenti dhe Komisioni Evropian kanë rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën. Qytetarët e Kosovës me të drejtë presin vendim meritor në këtë pikë”, tha presidenti Thaçi në bisedën telefonike me Përfaqësuesin e Lartë Borrell.

    Presidenti Thaçi dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së u pajtuan rreth nevojës që të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe për domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila nënkupton njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve.

    Në fund të bisedës, presidenti Thaçi ka thënë se e mirëpret vizitën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, në Republikën e Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!