×
  • Lajme
  • Lajme

    The Guardian: Fillimi i punës së Dhomave të Specializuara mund të ketë efekte të thella në raportet e tensionuara Kosovë-Serbi

    Reporteri
    30 Shtator 2020 | 10:46

    Nisja e proceseve të zvarritura gjyqësore në Speciale mund të ketë ndikim të thellë mbi Kosovën dhe raportet e tensionuara të saja me Serbinë, ka shkruar e përditshmja britanike, “The Guardian” në raportin e saj rreth zhvillimeve në Kosovë të lidhura me Specialen.


    Gjatë javës së kaluar, Dhomat e Specializuara për Kosovën kanë urdhëruar arrestimin e tre personave. Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij, përderisa krerët e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj dyshohen për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

    “Fillimi i procesit të zvarritur mund të ketë efekt të thellë mbi Kosovën dhe raportet e tensionuara të saja me Serbinë. Në qershor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u akuzua nga Prokurori i Specializuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Akuzat ende nuk janë konfirmuar prej gjyqtarit. Thaçi është marrë në pyetje rreth akuzave gjatë korrikut dhe e ka proklamuar pafajësinë e tij”, shkruan britanikja.

    “The Guardian” në vazhdim rikujton se pikërisht këto akuza bënë që Thaçi të mos merrte pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.

    “Marrëveshja në fund u nëshkrua më 4 tetor nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, por tensione të konsiderueshme mbesin, teksa as Serbia dhe as përkrahësit e saj, përfshirë Rusinë dhe Kinën, deri më tani nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, shkruan “The Guardian”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!