×
  • Lajme
  • Lajme

    Thyerja e murit mes VV-së e PDK-së – dy deklaratat interesante të Konjufcës për PDK-në

    Reporteri
    04 Prill 2020 | 17:25

    Partia Demokratike e Kosovës duket ta ketë ndarë mendjen të qëndrojë në opozitë. Ajo votoi rënien e Qeverisë Kurti, por sërish deklaroi se nuk dëshiron të jetë pjesë e ndonjë qeverie, e po ashtu nuk u shpreh në favor të zgjedhjeve në këtë kohë pandemie. Një qëndrim të tillë e tha vetë kreu i saj, Kadri Veseli atë ditë që pati konsulta me Presidentin Hashim Thaçi.

    PDK nuk po i ndalë kritikat për Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin, për gjendjen e krijuar në vend, por partia e kryeministrit në detyrë ka nisur ta zbusë diskursin karshi partisë që e akuzuan më se shumti dhe e ka konsideruar përherë të ‘keqën e Kosovës’.

    Vetëvendosje para disa ditëve ka pranuar një letër nga Presidenti Thaçi për dërgimin e emrit të ri për kryeministër. Ata duan zgjedhje dhe nuk konsiderojnë se ka hapësirë kushtetuese për një qeveri tjetër.

    Ani pse me këtë qëndrim të prerë, në Vetëvendosje tash shigjetat i kanë drejtuar kah ish partneri, LDK-ja e ‘flamujt e bardhë’ kah PDK-ja, shkruan Reporteri.

    Duket pra pak e besueshme kjo, por janë dy raste në këto ditët e fundit, kur Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca e ka lavdëruar PDK-në, dhe për më tepër nuk e ka përjashtuar një marrëveshje qeverisëse me ta. Kur VV ishte ndarë, nga grupi që u larguan, pjesa kryesore e udhëheqjes e kishin akuzuar Kurtin se në një moment ishte pajtuar se sa i përket pjesëmarrjes në Qeveri PDK është konstantja. Këtë ata e kishin parë si ndryshim të Kurtit.

    “A e di çka ka qenë për mua në muajin e fundit zhgënjyese, zhgënjyese për mua ka qenë me pa PDK-në më konstruktive se LDK-në, për herë të parë më ka ndodh, a mundesh me e besu. Kqyre muajin e fundit, kqyre PDK-në, lshoja krejt deklaratat e tyne, qysh janë sillë në parlament në kohën e mosbesimit, qysh ka qenë edhe konferenca e zotri Veselit edhe kqyre Agim Veliun, kqyre Skender Hysenin, kqyre Avdulla Hotin, kqyre Isa Mustafën. LDK-ja është më zhgënjyese sesa PDK-ja”, ka thënë Konjufca për T7 me datë 1 Prill, transmeton Reporteri.

    E një ditë pasi ra Qeveria, më 26 prill, i njëjti nuk e kishte mohuar opsionin që ta diskutojnë në Vetëvendosje një koalicion edhe me PDK-në. Në KTV, në emisionin Desku, Konjufca u pyet se cilat janë mundësitë për një qeveri të re të VV-së, Konjufca tha se ato janë 100%, shkruan Reporteri.

    “Ato mundësi janë 100 %. Ajo është në diskrecionin e VV-së. Ajo nuk është biseduar kurrë në VV. Ato mundësi janë duke rifilluar prej LDK-së e me të gjitha subjektet e tjera, janë krejt mundësitë. Por, kur të ulemi dhe diskutojmë do t’i qesim krejt çka është në interes të Kosovës”, kishte thënë ai, teksa kishte ripërsëritur se deri më tani qëndrimi I VV-së ka qenë që të mos ketë koalicion me partitë e PAN-it.

    Vetëvendosje në mënyrë kategorike e kishte përjashtuar opsionin e një koalicioni me PDK-në edhe atëherë kur nuk fitonte zgjedhjet. Me LDK-në u lidh para zgjedhjeve për ta kurorëzuar vetëm për 50 ditë një Qeveri, e cila u ndërtua pas mbi 100 ditë negociata.

    PDK nuk ka qenë edhe shumë e ashpër në deklarata ndaj Qeverisë, përveç në ditët e para të Qeverisë kur tentonte t’ia kujtonte Kurtit çka kishte thënë e si po vepron ndryshe tani. Beteja e fundit është për veriun. Qeveria në detyrë Kurti ka lënë disa mjekë serbë të hyjnë atje e PDK e të tjerat po e akuzojnë se e la veriun në duar të Serbisë.

    Serbia raportohet madje se po bën presion në komunat veriore në vend, e për të cilat thuhet se ka nxjerrë vendim t’i fus në karantinë pas disa rasteve me coronavirus.

    Të shohim nëse pandemia dhe veriu do të jenë pika bashkimi mes VV-së e PDK-së apo thellim i ndarjeve. /Reporteri

    Nga minuta 55:

    Nga minuta 1:04:40:

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!