×
  • Lajme
  • Lajme

    Tragjedia në Artanë: Vazhdojnë përpjekjet për të nxjerrë trupat e pajetë të dy minatorëve

    Reporteri
    02 Qershor 2020 | 21:30

    Dy minatorët e Artanës që humbën jetën si pasojë e shembjes në minierë, ende nuk janë nxjerrë jashtë. Për shkak të shembjes së një guri të madh, ekipi i kërkim-shpëtimit e ka të vështirë nxjerrjen e trupave të pajetë ani pse ata shihen.


    KosovaPress merr vesh se përpjekja për t’i nxjerrë dy viktimat tani do të bëhet duke minuar një shkëmb masiv dhe pritet që e gjithë puna të përfundojë sonte në orët e vona.

    Ndërkohë, Fatmir Gërguri, kryeinspektor i minierave, ka thënë se shpreson që nxjerrja e trupave të pajetë të dy minatorëve të ndodhë sot. Ai megjithatë e pranon se nxjerrja e tyre është mjaft e vështirë.

    “Në horizontin e pestë, në një shembje të një guri të rëndë, na kanë mbetur të vdekur dy minatorë. Jemi duke bërë çmos për të arritur t’i lirojmë. Janë të qasshëm, shihen, por nxjerrjen e viktimave e kemi ende shumë të vështirë”, tha Gërguri.

    Haki Arifi dhe Idriz Gërbeshi mbetën të vdekur mëngjesin e sotëm në minierën e Artanës.

    Ngjarja tragjike ka ndodhur ku në njërin nga horizontet e minierës së Artanës ka pasur shembje të dheut.

    Dy personat që kanë humbur jetën tragjikisht ishin brenda derisa një pjesë e minierës u shemb, ndërkohë që disa të tjerë morën lëndime të lehta.

    Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili ka bërë të ditur se Qeveria do të ndihmojë me nga 30 mijë euro familjarët e viktimave.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!