×
  • Lajme
  • Lajme

    Trajtimi i konfliktit të interesit në Postën e Kosovës i besohet financuesit të Vetëvendosjes

    Reporteri
    01 Shkurt 2023 | 9:50

    Donatori i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Jonuzi, është caktuar zyrtar përgjegjës për trajtim të rasteve të konfliktit të interesit në ndërmarrjen publike Posta e Kosovës.

    Jonuzit, i cili mban pozitën e koordinatorit për paga dhe benifite në këtë ndërmarrje, i është caktuar edhe kjo përgjegjësi e re nga kryeshefja e Postës së Kosovës, Nora Raci.

    Emri i Visar Jonuzit figuron 12 herë si donator i Vetëvendosjes në raportet financiare të kësaj partie për vitin 2021.

    Në raportin vjetor financiar për vitin 2021, Visar Jonuzi figuron se ka dhënë 9 herë nga 10 euro, apo 90 euro gjatë vitit 2021.

    Kurse në raportin financiar për zgjedhjet lokale të mbajtura në fund të vitit 2021, Jonuzi ka dhënë donacion 10 euro më 28 tetor 2021.

    Kurse, në raportin financiar të LVV-së në periudhën janar- shkurt 2021, Jonuzi del se ka dhënë donacion 30 euro.

    Në vendimin për caktimin e përgjegjësisë së re thuhet se Jonuzi do të bëjë pranimin dhe trajtimin e rasteve të konfliktit të interesit në Postën e Kosovës.

    Tutje, në po të njëjtin vendim, theksohet edhe fakti se i njëjti do të zbatojë dispozitat ligjore për mbrojtjen e sinjalizuesve, evidentimin e sinjalizimit dhe krijimi i regjistrit për ta.

    Gjithashtu, Jonuzi, sipas vendimit, me marrjen e sinjalizimit fillon më pas procedurat e brendshme të hetimit administrativ, vlerësimit dhe pretendimet e tjera të ngritura në rast.

    “Nga procedurat e ndërmarra në përfundim të procesit të hetimit administrativ të sinjalizimit nga punëdhënësi rezulton se veprimi ose praktika e dyshuar e sinjalizuar përbën shkelje ligjore, punëdhënësi vë në dijeni organin kompetent” – thuhet në vendim.

    KALLXO.com ka kontaktuar me Visar Jonuzin, i cili ka thënë se caktimi i përgjegjësive të reja është bërë me vendim të kryeshefes, Nora Raci.

    “Këto shkojnë me vendime, emërohet me vendim, nuk ka konkurse për pozita që nuk paguhen. Këto janë vendime për sinjalizuesit, rastet që janë të konfliktit të interesit, këto zgjidhen si emërime” – shton ai.

    Ai ka thënë se për përgjegjësitë e reja nuk do të ketë shtesa në pagë.

    “Unë ende mbaj pozitën si koordinator për paga dhe benifite. Kjo është ekstra, nuk paguhet, është thjesht një zyrtar që përkujdeset për konfliktin e interesit që mundet me ndodhë në kompaninë tonë” – tha Jonuzi

    Në lidhje me donacionin e dhënë për Lëvizjen Vetëvendosje në vitin 2021, Jonuzi ka thënë se është çështje personale.

    “Nuk mundem me thanë për çka të jap donacion me ju tregu njerëzve sepse është punë personale e imja” – thotë tutje Jonuzi.

    Sipas tij, përzgjedhja e zyrtarit për një pozitë të tillë është që të trajtohen rastet në mënyrë neutrale.

    “Nuk ka të bëjë fare, sepse nuk ka përfitime, madje është një ndër pozitat që askush nuk ka qejf me e pasë. Kërkohet prej Agjencisë Kundër Korrupsionit që një nga punonjësit të përcaktohet që rastet e konfliktit të interesit t’i trajtojë në mënyrë neutrale. Është ekstra punë shtesë pa pagesë” – përfundon Jonuzi.

    Ndërmarrja publike Posta e Kosovës deri më tani nuk ka dhënë asnjë sqarim se nga kush u propozua Jonuzi për të qenë zyrtar përgjegjës për pranimin dhe trajtimin e rasteve të konfliktit të interesit.

    Visar Jonuzi ishte caktuar nga ish-kryeshefja e Postës, Fakete Kadiu, në komisionin për ristrukturimin e Postës së Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!