×
  • Lajme
  • Lajme

    U.d. Rektorja Plakolli-Kasumi ishte emëruar në kundërshtim me statutin e UP’së, si prodekane

    Reporteri
    25 Tetor 2022 | 19:53

    Ushtruesja e detyrës së rektores së Universitetit të Prishtinës (UP), Luljeta Plakolli-Kasumi, po mban pozitën e ushtrueses së detyrës së prodekanes në Fakultetin Juridik, pa e pasur thirrjen profesoreshë. Ajo deri në tetor ka qenë vetëm ‘asistente’. Kjo është në kundërshtim me statutin e UP’së.

    Në tetor të vitit 2020, ass. Luljeta Plakolli – Kasumi, tash u.d e rektores së UP’së, ishte zgjedhur u.d prodekane në Fakultetin Juridik.

    Sipas vendimit që ka publikuar Gazeta Metro, ass. Luljeta Plakolli – Kasumi është zgjedhur u.d prodekane me 7 tetor 2020 me një mandat katër vjeçar, paraprakisht deri me datë 30 shtator 2024.

    Mirëpo emërimi i Luljeta Plakollit-Kasumi, si u.d prodekane e Fakultetit Juridik, ishte bërë në kundërshtim me statutin e UP’së.

    Neni 68, pika 2, e saktëson qartë se si zgjidhen kandidatët për postin e dekanit dhe të prodekanit.

    “Kandidatët për postin e dekanit dhe të prodekanit duhet të jenë individë me kualifikime relevante akademike dhe të kenë aftësi dhe përvojë në udhëheqje si dhe të kenë së paku thirrjen e profesorit asistent”, thuhet në pikën 2 të Nenit 68.

    Pra sipas këtij neni, zgjedhja e Luljeta Plakolli-Kasumit, si u.d prodekane e Fakultetit Juridik, ka qenë në kundërshtim me statutin.

    Në kohën kur ajo është zgjedhur u.d prodekane, është thirru asistente, thirrje kjo që e ka pasur deri në tetor të këtij viti.

    Katër ditë më parë Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës me shumicë votash ka shkarkuar Naser Sahitin nga pozita e rektorit të UP’së.

    Këshilli Drejtues menjëherë me 21 tetor ka emëruar Luljeta Plakolli-Kasumi në pozitën e ushtrueses së detyrës së rektores së UP’së.

    Ndërkaq kujtojmë që Luljeta Plakolli-Kasumi është edhe kushërira e presidentes Vjosa Osmani, ku edhe ka pasur reagim të opinionit për këtë, pasi që e kishin cilësuar si konflikt interesi.

    Dje për u.d të rektores së UP’së, ka folur edhe ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili e ka cilësuar doktoratën e saj ‘zhgl dhe plagjiat’.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!