×
  • Lajme
  • Lajme

    Lansohet shërbimi për pagesa elektronike për qytetarët

    Reporteri
    29 Dhjetor 2021 | 16:00

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe atë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në lansimin e pagesave elektronike, përmes të cilit synohet lehtësimi dhe shkurtimi i kohës për marrjen e shërbimeve qeveritare, pa prezencë fizike.

    Digjitalizimi, si objektiv kyç i programit qeverisës, parashihet të jetë pjesë e gjitha shtyllave në Strategjinë e re Kombëtare për Zhvillim, tha kryeministri Kurti dhe shtoi se, përmes transformimit digjital, synohet përmirësimi i avancuar i administratës publike, sistemit arsimor, sektorit të shëndetësisë, sistemit të drejtësisë dhe të gjitha fushat e tjera të qeverisjes.

    “Nëpërmjet zhvillimit të qeverisjes elektronike, synojmë rritjen e transparencës, të llogaridhënies dhe përmirësimin e shërbimeve tona ndaj qytetarëve dhe bizneseve”, u shpreh kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij.

    Sot u fillua me pilotimin e pagesave elektronike për shërbimet qeveritare që janë një komponent përbërës i rëndësishëm për realizimin e shërbimeve të e-qeverisjes. Qëllimi është që qytetarëve t’iu ofrohet mundësia që shërbimet e iniciuara në mënyrë elektronike në portalin e-Kosova, të mund edhe të përfundohen në mënyrë elektronike brenda portalit qeveritar. Gjatë fazës së pilotimit, pagesat elektronike fillimisht do të aktivizohen për pagesën e tatimit në pronë, si dhe pagesën e gjobave në trafik. Pritet, që së shpejti pagesat elektronike të përdoren edhe për shërbime tjera qeveritare, si vazhdimi i regjistrimit të veturës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!