U paralajmërua se sot fillon numërimi i votave me kusht, por KQZ thotë se ende nuk dihet kur do nis ky proces

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se ende nuk dihet se kur do të fillojë numërimi i fletëvotimeve me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, pavarësisht se u paralajmërua që të nisë sot, më ora 18:00.


“Aktualisht shërbimi votues është duke bërë një verifikim të të dhënave dhe pas përfundimit të tij do të mund të fillojmë me numërimin e fletëvotimeve me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

“Po bëjmë përpjekje që ta përmbyllim sa më shpejt këtë proces në mënyrë që të mund të nisim me numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta. Shpresojmë se do të arrijmë që sonte të nisim këtë numërim”, tha tutje Elezi.

Numri i zarfeve të fletëvotimeve me kusht është 31 mijë e 427, ndërsa i zarfeve të fletëvotimeve të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 766.