×
  • Lajme
  • Lajme

    U raportua për shpërthime në Zubin Potok, Sheholli: Bandat e veriut po pengojnë përgatitjen e zgjedhjeve të 18 dhjetorit

    Reporteri
    06 Dhjetor 2022 | 15:52
    Zubin Potok. Fotografi ilustruese nga arkivi.

    “Ngjarjet e sotme dhe të mbrëmshme në veri të Kosovës janë përpjekje e serbëve lokalë dhe bandave të veriut që të pengojnë mirëvajtjen e përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 18 dhjetorit”, tha Drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, për gazetën online Reporteri.net, pas ndodhive të sotme ku raportua për të shtëna armësh dhe shpërthime në pjesën veriore të Kosovës.

    Sot, Radio Evropa e Lirë raportoi se dy shpërthime u dëgjuan pasditen e së martës në Zubin Potok – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

    Për këto raportimeve flet edhe Fatmir Sheholli, drejtues i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike. Thotë se incidente në Veri ka pasur edhe një natë më parë.

    “Mbrëmë banda të caktuara të veriut kanë sulmuar zyrat e këshillit komunal të zgjedhjeve në veri të Mitrovicës duke thyer dritaret e zyrave”, tha Sheholli.

    “Sot në Zubin Potok serbe lokal kanë rrethuar zyrat e këshillit zgjedhor lokal në këtë komunë dhe nuk kanë lejuar zyrtarët e KQZ të kryejnë punët e tyre. Pastaj me lëshuarjen e sirenave i është bërë apel popullatës në veri të tubohen”, tha ai, derisa shton se aktivistët nga Instituti që e drejton janë në terren.

    Sipas raportimeve të disa mediave serbe, shpërthimet ndodhën në kohën kur anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor, nën përcjelljen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, hynë në hapësirat e objektit komunal në Zubin Potok.

    REL raporton se në Mitrovicën e Veriut – po ashtu të banuar me shumicë serbe – u dëgjuan sirena alarmuese para orës 15:00.

    Paraprakisht, sipas tyre, anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor, në prani të Policisë së Kosovës, tentuan të hyjnë në selinë e Komisionit Zgjedhor në këtë komunë.

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, përmes një njoftimi për media, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka dërguar pjesëtarë të Policisë së Kosovës me armë të gjata në Komunën e Zubin Potokut”.

    Nuk është e qartë nëse arritën të hyjnë. Në vendin e ngjarjes u mblodhën disa qytetarë, ndërsa automjetet e policisë nuk shihen më.

    Sipas tij, ata kanë për qëllim “përgatitjen e terrenit” për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 18 dhjetor.

    “Të gjithën e ka kurdisur dhe ia ka bërë regjinë Albin Kurti, derisa në Tiranë po mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor”, tha Petkoviq.

    Ai shtoi se qëllim i Kurtit është që “me dhunë dhe me armë t’i rrëmbejë katër komunat në veri” të Kosovës dhe “në to t’i instalojë përfaqësuesit shqiptarë, përmes zgjedhjeve jolegale dhe jolegjitime”.

    Përpos në Zubin Potok, sirenat janë dëgjuar edhe në Mitrovicë të Veriut./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!