×
  • Lajme
  • Lajme

    UP tregon pse janë përsëritur konkurset për doktoratë në Mjekësi dhe Ekonomik

    Reporteri
    08 Prill 2021 | 17:26

    Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se konkursi i pranimit në Fakultetin e Mjekësisë dhe Fakultetin Ekonomik nuk është përmbyllur.


    “Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, me qëllim të sqarimit të opinionit publik, njofton palët e interesuara se ende nuk është përmbyllur procedura e pranimit të kandidatëve në studimet e doktoratës në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Fakultetin Ekonomik, ngase ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare dhe nuk janë miratuar listat përfundimtare nga Senati i UP-së, siç parashihet me Rregulloren për studimet e doktoratës. Rrjedhimisht, në këto dy fakultete ende nuk ka kandidatë të pranuar në studimet e doktoratës për vitin akademik 2020/21.

    Vendimi i fundit i Senatit nr. 4/12 dt. 29/12/2020 lidhur me këtë çështje parasheh përsëritjen e provimit pranues në fakultetet e lartpërmendura, për shkak të shkeljeve procedurale të raportuara në realizimin e konkursit, e jo për arsye të tjera, siç janë konflikti i interesit e të ngjashme. Lidhur me pretendimet e ngritura në opinion rreth konfliktit të interesit, respektivisht të drejtës së konkurrimit, UP-ja nuk ka nxjerrë ndonjë konstatim, por ka kërkuar sqarim te Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Zyra e Avokatit të Popullit, në mënyrë që këto çështje të sqarohen para se të procedohet me ritestimin e kandidatëve. Ndërkohë, UP-ja ka pranuar opinionet përkatëse, të cilat janë të njohura edhe për opinionin publik dhe të cilat japin sqarim vetëm sa i përket konfliktit të mundshëm të interesit dhe të drejtës së kandidimit. Këto dy institucione nuk kanë trajtuar shkeljet procedurale në procesin e konkursit të doktoratës në këto dy fakultete dhe rrjedhimisht në asnjë rrethanë nuk e kanë kufizuar mundësinë e ritestimit të kandidatëve. Përkundrazi, AKK-ja ka dhënë rekomandime për mënyrën e organizimit të provimit pranues, të cilat gjithsesi do të merren në konsideratë”, thuhet në njoftimin e tyre.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!