×
  • Lajme
  • Lajme

    Ursula von der Leyen: Evropa nuk është e plotë pa Kosovën – meriton liberalizimin e vizave

    Reporteri
    27 Tetor 2022 | 10:50

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen pas takimit me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ka folur edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ursula von der Leyen ka theksuar se Kosova vazhdon të demonstrojë përkushtim të madh në rrugëtimin evropian.

    “Kishim një takim shumë të mirë dhe biseda intensive, dhe pamë përparimin që kishte arritur Kosova vitin e kaluar, kishte shumë përparim, keni punuar zellshëm. Vendi juaj vazhdon të demonstrojë përkushtim shumë të madh në rrugëtimin evropian. Keni treguar gjithmonë vlerat tuaja drejt integrimit evropian dhe me përafrimin e plotë me sanksionet ndaj Rusisë”, tha ajo në konferencë për media.

    Presidentja e Komisionit Evropian u shpreh se puna e zellshme e Kosovës është treguar edhe në raportin e fundit për zgjerim, dhe se është bërë përparim në luftën ndaj korrupsionit.

    “Kjo punë e zellshme është reflektuar edhe në raportin tonë të fundit për zgjerim që është pozitiv për Kosovën. Ju keni bërë përparim dhe përpjekje për të luftuar korrupsionin, prandaj kjo është shumë e mirë. Jeni duke ndërtuar gjyqësorin por edhe ekonominë solide të tregut dhe kjo është njohur nga Komisoni Evropian gjë që thuhet edhe në raport”, tha presidentja e Komisionit Evropian, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ursula gjithashtu ritheksoi se Kosova e meriton liberalizimin e vizave, e që i ka përmbushur kushtet qysh në vitin 2018, e kësaj radhe vetëm u rikonfirmua.

    “Keni aleat për liberalizimin e vizave. Kosova e meriton liberalizimin e vizave, e di që është e rëndësishme për ju. I keni përmbushur të gjitha standartet. Ishte vlerësim që kjo të bëhet në korrik të vitit 2018, dhe tani kemi rikonfirmu që keni plotësuar të gjitha kriteret. Detyra jonë është që të bindim Këshillin Evropian, e që shumica nga ta janë në anën tuaj. Kemi punuar me presidencën çeke, të cilët kërkojnë shumë sqarime, por mund të llogarisni tek ne në Komision Evropian. E keni bërë këtë punë mbresëlënëse përkundër shumë vështirësive”.

    Presidentja e Komisionit Evropian e bindur tha se Kosova ka vendin në BE, e se kjo e fundit nuk është e plotë pa të.

    “Vendi i Kosovës është në Bashkimin Evropian, jam e bindur për këtë, dhe ju këtë po e dëshmoni për çdo ditë, kjo është shume e qartë. Evropa nuk është e plotë pa Kosovën”, tha Ursula von der Leyen.

    Sa i përket “kushtit të ri” ETIAS, Ursyla von der Leyen tha se një gjë e tillë vlen për të gjitha vendet përreth Bashkimit Evropian, dhe është diçka e pavarur, nga kriteret për viza.

    “ETIAS është proces i rëndësishëm për Bashkimin Evropian. Ne do të kërkojmë përmes këtij instrumenti, që të gjithë që futen në BE, të aplikojnë përmes këtij sistemi i cili do të jetë i pavarur nga kriteret e vizave. Me këtë do të kemi transparencë për lëvizje, dhe kjo do të vlejë për të gjitha vendet përreth bashkimit evropian”, tha von der Leyen./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!