×
  • Lajme
  • Lajme

    Valdete Daka dhe KQZ duke shkelur ligjin ia bën qejfin LDK-së për t’ia shtyrë zgjedhjet e brendshme

    Reporteri
    26 Qershor 2019 | 18:47

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka shkelur afatin ligjor për mbajtjen e Kuvendit të brendshëm zgjedhor, i cili ishte paraparë të përfundonte deri më datën 31 maj të këtij viti.


    Kjo parti kishte kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ia shtynte Kuvendin e Përgjithshëm të LDK’së, ku pritet të votohet Shefi i ri i Partisë.

    KQZ ka aprovuar kërkesën e tyre, duke bërë shkelje të rregullores së punës. Ky institucion po përdor standarde të dyfishta, pasi për të njëjtat arsye kishte pezulluar dhe çregjistruar dy parti tjera politike gjatë vitit të kaluar.

    Periskopi mëson se kryesuesja Valdete Daka kishte vënë në agjendë të ditës kërkesën e LDK’së veç 10 minuta para nisjes së mbledhjes së datës 27 maj 2019.

    Periskopi tash e tre ditë ka provuar të marrë një sqarim nga kryesuesja e KQZ’së, Valdete Daka rreth këtij vendimi, por ajo ka qenë e paqasshme, njëjtë sikurse edhe zyra e Informimit e këtij institucioni.

    Megjithatë, pa dhënë ndonjë arsyetim ligjor, Daka para disa ditësh kishte konfirmuar aprovimin e kërkesës së LDK’së për të shtyer Kuvendin.

    “LDK e ka bërë kërkesën dhe i është aprovuar shtyrja e zgjedhjeve të brendshme”, kishte thënë Daka.

    Rregullorja Nr 01/2013 për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike, përkatësisht neni 6.1 dhe neni 15, specifikojnë se një partie politike duhet t’i pezullohet regjistrimi nëse s’ka mbajtur zgjedhjet e brendshme brenda 4 viteve dhe të urdhërohet mbajtja e Kuvendit.

    KQZ në fillim të vitit të kaluar pezulloi nga regjistri i partive politike Partinë Republikane të Kosovës(PRK) dhe Partinë Liberale të Kosovës (PLK).

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ishte i mëshirshëm edhe ndaj partive me më pak nam, PRK’së dhe PLK’së.

    Më datën 2 mars të vitit 2018 kishte pezulluar Partinë Republikane të Kosovës për shkak se nuk kishte mbajtur kuvendin zgjedhor brenda 48 muajve sipa afatit ligjor.

    Ndërsa masë e njëjë u mor edhe ndaj Partisë Liberale të Kosovës, pasi kjo e fundit nuk i dorëzoi të dhënat e ndryshuara vjetore në afatin e caktuar kohor.

    Baraliu: KQZ nuk duhet të përdorë standarde të dyfishta 

    Ish-kryesuesi i KQZ’së, Mazllum Baraliu ka thënë për Periskopin se detyrë e këtij institucioni është përmbarimi, performanca dhe zbatimi i plotë i dispozitave ligjore në Kushtetutë. Sipas tij, KQZ nuk duhet të përdorë standarde e afishe të ndryshme, por t’i trajtojë të gjitha subjektet politike njësoj.

    ‘’’Në qoftë se përdor kritere, arshime të dyfishta për një subjekt politik dhe një subjekt tjetër, është çështje që do të duhej të diskutohej dhe të analizohej në vetë KQZ dhe në subjektet politike dhe në Kuvend, prej nga delegohen anëtarët nga spektret politike përfaqësuese në KQZ’’, ka thënë Baraliu.

    Tutje ai tregon e si duhet vepruar KQZ përderisa ka marrë një vendim të tillë ndaj LDK’së.

    ‘’Të përmirësojnë performancat e tyre në kuptimin cilësor të zbatimligjit dhe të dërgojnë atje njerëz dhe anëtarë të cilët votojnë, sikurse rasti i tanishëm me LDK’në që të pezullohet aktiviteti i një subjekti politik për shkak të sjelles ose jo, dhe të mos kenë qëndrime diferente, kritere dhe arshime të ndryshme për një parti, e për një tjetër ndryshe. Nuk e amniston nga përgjegjësia as KQZ’së e as një subjekt tjetër që është institucion i shtetit që të veprojë në arshime të ndryshme, pa marrë parasysh fuqinë politike të një subjekti politik, në këtë rast të LDK’së, në qoftë se eventualisht nuk ka pasëur bazë për shtyerje të afatit të Kuvendit zgjedhor’’.

    Baraliu mendon se KQZ vitet e fundit ka humbur kredibilitetin, duke qenë se për një kohë ishte edhe pa mandat.

    “Edhe vetë si e tillë ka qenë e paralizuar nga faktorë të jashtëm, pa mandate, jashtë mundësisë për të marrë vendime ligjore dhe kushtetuese. Kjo është një sinjal që do të duhej që me përgjegjësinë e plotë dhe maksimale ligjore, të merren vendimet në mënyrë parimore, për të gjithë njëjtë dhe jot ë ketë anime të ndryshme për subjekte të caktuara.
    Por edhe për çkado që të trajtohet, të jetë neutral dhe jo e njëanshme dhe të shiqojë fuqinë politike të dikujt dhe t’ia miratojë ndonjë kërkesë që edhe mund të jetë diskutabile, ndërkohë që në raste tjera ku fuqia politike e subjektit politik që është në minorancë në aspektin e ndikimit politik të anëtarësisë dhe fuqisë politike, të veprojë ndryshe”, thekson ish-kryesuesi Baraliu.

    LDK: Jemi të gatshëm për zgjedhje të reja të përgjithshme në çdo moment

    Lidhja Demokratike e Kosovës në një përgjigje për Periskopin nuk ka dashur të japë detaje rreth kërkesës së tyre dhe shkeljeve që mund të jenë bërë duke tejkaluar afatin e mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme. Kjo parti beson se e kanë rrugën e hapur drejt zgjedhjeve të përgjithshme në vend.

    “LDK është në fund të procesit zgjedhor ndërsa sa i përket paqartësive tuaja rreth pyetjeve ligjore, ju lutem të i drejtoheni KQZ-së.LDK është e gatshme për zgjedhje të reja të përgjithshme çdo moment”, thuhet në përgjigjen e LDK’së.

    Sidoqoftë as LDK s’ e as ndonjë parti tjetër s’mund të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhje nëse s’i përfundojnë së pari zgjedhjet partiake me kohë.

    Sivjet zgjedhjet në LDK kanë nisur më 8 mars. Janë paraparë të përfundojnë në fund të verës, megjithëse, ka pasur paralajmërime se mund të shtyhen edhe deri në vjeshtë, kur edhe pritet të ketë mocion për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

    Dushi: KQZ nuk është organ i cili ndëshkon, mbyll dhe çregjistron subjekte politike për çështje teknike

    Anëtari i KQZ’së nga radhët e LDK’së, Florian Dushi në një deklaratë për Periskopin nuk ka specifikuar shkeljet që mund të jenë bërë në këtë rast. Ai thotë se KQZ, mirëkuptim për shtyrje afati kishte shprehur edhe ndaj partive tjera.

    ‘’Përkundër dëshirës së subjekteve tjera politike, Kosova është vend demokratik në të cilin rivalët politik duhet të munden me votë e jo duke pritur nga organet e caktuara që të mbyllin, ndëshkojnë apo çregjistrojnë parti të caktuara politike. Partitë për të cilat po flisni ju, të cilat janë çregjistruar nga KQZ, janë parti që nuk kanë përmbyllur e as filluar kurrë procesin e brendshëm zgjedhor, prandaj referenca, përkatësisht krahasimi i juaj është i gabuar’’, ka thënë Dushi.

    Periskopi ka mësuar se kryesuesja Valdete Daka e kishte vënë në agjendë kërkesën e LDK’së veç 10 minuta para nisjes së mbledhjes së datës 27 maj 2019. Shtyrja e zgjedhjeve të brendshme të këtij subjekti politik ishte aprovuar nga gjithë anëtarët.

    Isa Mustafa dhe gjithë zyrtarët e LDK’së që kanë pozita udhëheqëse në parti janë duke shkelur nenin 51 të Statutit të Partisë prej 31 majit të këtij viti.

    Kjo për shkak se po vazhdojnë t’i mbajnë pozitat partiake përtej mandatit 4 vjeçar siç përcakton “Kushtetuta” e LDK’së.

    Pika e 51.1 e Statutit të LDK’së shkruan se “Mandati i anëtarëve të organeve të zgjedhura të LDK-së është 4 (katër) vjet”.

    Kujtojmë që zgjedhjet e brendshme të LDK’së sivjet po manifestohen me problem të mëdha. Që nga nisja e Kuvendit më 8 mars, gati çdo javë ka pasur rrahje nëpër degë të ndryshme nëpër Kosovë.

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!