Një foshnje e porsalindur ka vdekur të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, raporton gazeta online Reporteri.net.
Në raportin 24 orësh, thuhet se lidhur me rastin njësitë policore i kanë intervistuar disa persona, derisa nga zyrtarët e IML-së është tërhequr trupi i foshnjës.
“Prishtinë / 04.11.2024 – 10:30. Është raportuar se ka ndërruar jetë një foshnje. Lidhur me rastin njësitë përkatëse policore kanë intervistuar disa persona, ndërsa nga zyrtarët e IML-së është tërhequr trupi i pajetë. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin e plotë të Policisë.
Lidhur me rastin, Reporteri.net e ka kontaktuar drejtorin e Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, i cili bëri të ditur se janë duke i analizuar shkaktarët e mundshëm të vdekjes së foshnjës, dhe se fryti e placenta tashmë janë dërguar për autopsi.
“Ne shkaqet ende nuk i dimë, ka shkaqe të shumta që mund ta shkaktojnë vdekjen. Jemi duke e hulumtuar, kemi mbledhur analizat dhe deklaratat e mjekëve që kanë qenë kujdestar. Dyshohet se mos është edhe ndonjë infeksion. Për autopsi e kemi dorëzuar frytin dhe placentën dhe po presim rezultatet”, ka thënë Ndrejaj.
Po ashtu, Ndrejaj tha se se nëna e foshnjës duket se pas pasur probleme gjatë shtatzanisë, dhe se kjo ka qenë lindja e saj e tretë.
“Si duket ajo ka pas pak probleme gjatë shtatzënisë. Gjendja e pacientes është mirë, është duke u trajtuar për shkak të një infeksioni që ju ka shfaq. Lindja është kryer me operacion”, u shpreh Ndrejaj.
/Reporteri.net/.