×
  • Lajme
  • Lajme

    Vëllazëria njerëzore në Kosovë, rrëfim i të huajve për mikpritjen e kosovarëve

    Reporteri
    28 Tetor 2019 | 16:19

    Vëllazëria njerëzore për një kohë të gjatë ka qenë ëndërr e filozofëve antikë. Ajo është një term i përgjithshëm, sipas të cilit e tërë bota është familja jonë. Ky term nënkupton që t’i ndihmojmë të tjetër, t’i duam të tjerët dhe t’i mbrojmë të tjerët pa menduar se çfarë do të përfitojmë nga këto vepra. Kosova dhe populli i saj na e mësuan mua dhe Jo-s kuptimin e vëllazërisë njerëzore.


    Na kishin thënë që të mos udhëtojmë nëpër Kosovë. Interneti është i mbushur me arsye për të mos shkuar atje. “Është vend i rrezikshëm, rrugët janë të tmerrshme, ka mina gjithandej…”, e kështu me radhë. Askush nuk i përmendi arinjtë. Dua të them që isha i magjepsur kur gjatë rrugëtimit e pashë shenjën paralajmëruese për praninë e arinjve. Sa mahnitëse! Po sa keq që edhe arinjtë po fshiheshin.

    Arritëm në kufirin mes Maqedonisë dhe Kosovës të mërkurën herët në mëngjes. I mbushur plot me frikë e shqetësim, vërtet nuk e prisja me qejf këtë udhëtim. Jo-ja? Jo aq si unë. Ai mahnitet shumë kur përjeton vizita në vende të reja, kur provon sfida të reja dhe kurrë nuk e pret më të keqen.

    U ndodhëm përballë një burri me pamje zyrtare, i cili na drejtoi te zyra A e agjentit të sigurimeve, e cila ishte e pastër dhe e rregulluar. Agjenti i sigurimit ishte njeri shumë i këndshëm. Pasi na tregoi se kemi paguar tepër për sigurimin në Maqedoni, na uroi fat dhe na këshilloi që të vozisim në mënyrë të sigurtë, duke na dëshiruar qëndrim të këndshëm në Kosovë.

    Kur u kthyem te zyrtari kufitar, Jo-ja pyeti për rrugët që duhet t’i ndjekim…E keni parasysh, minat, arinjtë…

    Destinacioni ynë ishte kryeqyteti i Kosovës. Prishtina do të ishte shtëpia jonë për 24 orët e ardhshme. Zyrtari kufitar, i cili ishte shumë i sjellshëm, na tregoi se rreth tri kilometra pas kalimit të kufirit, ne duhet të kthehemi në të djathtë për të hyrë në autostradën e tyre të re. Ajo është ndërtuar si rrugë kryesore mes Shkupit dhe Prishtinës dhe u hap për qarkullim në maj të këtij viti. Kjo autostradë është aq e re, saqë nuk ekziston as në sistemin e GPS-it.

    Çfarë autostrade moderne, e sigurtë dhe me arkitekturë të bukur! Ndoshta njëra nga rrugët më të mira të cilën kemi pasur kënaqësinë ta shfrytëzojmë. Në pjesën më të madhe të saj, në të ndodheshim vetëm ne, aq larg sa syri mund të shihte. U mundova të gjej arinj tani që një gjë e tillë ishte tërheqëse.

    Shkupin dhe Prishtinën i ndajnë vetëm 92 kilometra. Për kah kohë u përshëndetëm me fshatrat, traktorët, arat e punuara rishtas dhe vargmalet mahnitëse.

    Prishtina është një metropol i ngarkuar, i njohur për kulturën e kafeneve të mrekullueshme, kafesë së shkëlqyeshme, ushqimit të mirë dhe restoranteve moderne. Menjëherë do të bindeni pse faqja “Lonely Planet” e ka vendosur Kosovën në listën e 10 vendeve më të mira evropiane për t’u vizituar. Kosova është e njohur edhe si vendlindja e Rita Orës.

    Të ndalur anash rrugës, ne qëndronim si turistë të bllokuar në një rrugë të Prishtinës. Disa sekonda më vonë, një veturë e tipit “Audi” u ndal dhe një burrë i ri, shumë i shoqërueshëm, e hapi xhamin. “Ç’kemi! Unë jam Sokoli dhe unë vozis motoçikleta të tipit BMW me miqtë e mi. Ju djem po duket se keni humbur, a mund t’ju ndihmoj?” Doli shpejt nga vetura, na shtrëngoi duart, na uroi mirëseardhje në Prishtinë dhe na dhuroi një kartelë biznesi.

    Ne ia vërtetuam se kemi humbur, prandaj ai e nxori telefonin, e thirri një hotel dhe u fut në veturë, duke na kërkuar që ta ndjekim. Hoteli në të vërtetë ishte gjysmë blloku nga vendi ku ishim ndalur ne.

    Pasi arritëm në destinacion, një burrë tjetër na u afrua dhe na tha: “Përshëndetje, unë jam Artani, shok i Sokolit. Ne vozisim motoçikleta BMW së bashku”.

    “O Zoti im”, mendova me vete. “Si është e mundur? Njëri ndalet për të na ndihmuar, shoku i tij ndodhet në një kënd tjetër duke na pritur? Po më duket paksa e dyshimtë”.

    Sidoqoftë, Sokoli dhe Artani na ofruan bisedë shumë miqësore, duke na treguar për klubin e tyre dhe të gjithë njerëzit që i takojnë duke vozitur motoçikleta BMW rreth botës. Na thonë të takohemi më vonë për darkë dhe na tregojnë se do t’i sjellin disa burra me të cilët i vozisin motoçikletat.

    Shoku im e caktoi takimin për orën 18 në hotel, u përshëndetem, e bëmë një fotografi dhe shkuam në dhomën tonë. Në këtë fazë, unë isha pak i qetë, duke menduar për mundësitë dhe për atë se a duhet ta hap temën e ankthit. Megjithatë, ai nuk dukej i brengosur për këtë. Dukej se atij më shumë i interesonte se si do ta kalonte kohën duke u endur rrugëve të Prishtinës.

    Duke e pasur të kufizuar kohën e qëndrimit në Kosovë dhe duke mos e konsideruar asnjëherë si destinacion, kishim bërë planë që të nisemi drejt Shqipërisë ditën e ardhshme. E bëmë një shëtitje të çmendur rreth qytetit. Së pari u ndalëm në Pazarin e Prishtinës. Ai ishte një treg interesant dhe i ngarkuar, ku shitej pothuajse gjithçka, duke filluar nga pemët dhe perimet, vezët, djathi, telefonat e prishur, orët dhe veshmbathjet e dorës së dytë. Ky treg dikur ishte zemra e Prishtinës dhe kishte një rol të rëndësishëm në zhvillimin fizik, ekonomik dhe social të qytetit. Sidoqoftë, Pazari origjinal ishte shkatërruar gjatë viteve të pesëdhjeta dhe të gjashtëdhjeta në parullën për modernizim, “shkatërroje të vjetrën, ndërtoje të renë”.

    Në hapësirën ku ishte ky treg tash ndodhen ndërtesat e Kuvendit të Kosovës, zyrat e Komunës së Prishtinës dhe Sheshi i Vëllazërim-Bashkimit.

    Në këtë shesh gjendet një monument i inauguruar në vitin 1961, kur Josep Broz Tito ishte lider i Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë. Të drejtuar drejt qiellit janë tri shtylla që bashkohen mes vete. Ato e përfaqësojnë vëllazërinë e Jugosllavisë brenda Kosovës mes shqiptarëve, serbëve dhe malazezëve. Thuhet se emri i këtij sheshi u ndërrua dhe u bë “Adem Jashari” (hero kombëtar i shqiptarëve) në fillim të këtij shekulli. Asnjë dokument nuk mund të gjendet për ta vërtetuar këtë, prandaj ndryshim i emrit zyrtarisht u miratua në vitin 2010.

    Afër këtij sheshi ndodhen Xhamia e Pazarit (e nisur në vitin 1389 nga Sulltan Pajaziti, ajo është xhamia më e vjetër në Kosovë) dhe Hamami i Vjetër.

    Unë isha i magjepsur nga sektori i pemëve dhe perimeve në Pazar dhe nuk mund të besoja se sa shumë qese me speca kishte aty. Radhë të pafundme me tezga me lloj-lloj ngjyrash dhe tregtarë të angazhuar në punën e tyre.

    Jo larg nga hoteli ynë, përgjatë rrugës kryesore dhe përballë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, ndodhet njëra nga monumentet moderne të Prishtinës. Monumenti “NEWBORN” është inauguruar më 17 shkurt të vitit 2008. Qeveria e Republikës së Kosovës në këtë datë e shpalli pavarësinë nga Serbia dhe monumentin “NEWBORB” ia bëri dhuratë popullit të vet. Ky monument është dizajnuar nga Fisnik Ismaili dhe është krijuar në bashkëpunim me agjencinë kreative “Ogilvy Kosova”. Thuhet se Fisnik Ismaili nuk i kishte të hollat për t’i paguar metalpunuesit që do t’i ndërtonin shkronjat e monumentit, prandaj i kishte lënë veturën dhe çelësat e shtëpisë si depozitë. Në mbrëmjen inauguruese, më shumë se 150 mijë njerëz i vendosën nënshkrimet në këtë monument. Njerëzit vinin vazhdimisht, hipnin mbi të, e nënshkruanin dhe kjo gjë zgjati disa orë. Fisniku ia dërgoi një mesazh të dashurës së tij, duke i thënë: “Faleminderit Zotit që mbaroi”, duke iu referuar edhe rrugës së gjatë të Kosovës për ta arritur pavarësinë dhe netëve pa gjumë që i kaloi duke e përgatitur skulpturën. Ajo është e lartë 3 metra dhe e gjatë 24 metra, duke shërbyer si shenjë e shpresës dhe përkujtimit për popullin e Kosovës.

    Fillimisht, monumenti ishte i ngjyrosur me ngjyrë të verdhë. Më vonë në të ishin vendosur flamujt e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Tash, ai ngjyroset në mënyra të ndryshme për çdo vit, pikërisht në përvjetorin e pavarësisë.

    “NEWBORN” është fjalë angleze, e zgjedhur për ta përshkruar lindjen e një shteti të ri. Ajo ka kuptime pozitive dhe e ka paraqitur Kosovën si një vend të ri, bashkëkohor dhe “trendi”.

    Kudo që shkoni nëpër qytet, do të shihni shenja që ju tregojnë se sa të lidhur janë njerëzit e Kosovës me Shtetet e Bashkuara, të cilat ishin aleate të fuqishme që e ndihmuan Kosovën për ta shpallur pavarësinë. Në shëtitoren kryesore të qytetit madje ndodhet një statujë e ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright. Pranë kësaj statuje gjendet mbishkrimi “Na lejoni të zotohemi se në Kosovë do të ketë lindje të re të lirisë, të bazuar në tolerancë, ligj dhe respekt për jetën e njerëzve”. Këto fjalë janë thënë nga vetë ajo më 29 korrik të vitit 1999, një muaj e gjysmë pas çlirimit të Kosovës.

    Jo-ja dhe unë u munduam t’i absorbojmë energjinë, krenarinë dhe gjallërinë e këtij qyteti dinamik për vetëm disa orë. Ekzistonte një magjepsje e prekshme për këtë, për t’u njohur për bukuritë e veta dhe për mikpritjen e këtij populli. Kishim ardhur në zemrën e një vendi të etur dhe të një qyteti plot gjallëri.

    Të lodhur nga dita, u kthyem në dhomën e hotelit për një gjumë të shkurtër të pasdites./Gazeta Express

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!