×
  • Lajme
  • Lajme

    Vendimi për dëbimin e këshilltarit të Kurtit, çfarë thonë amerikanët?

    Reporteri
    01 Tetor 2020 | 15:26

    Ambasada amerikane nuk ka dashur të komentojë mbi refuzimin e lejeqëndrimit të mëtutjeshëm të shtetasit amerikan Tienmu Ma në Kosovë.


    Nga ambasada në një përgjigje për Express thanë se nuk kanë ndonjë informacion shtesë për të ndarë kur janë pyetur se a kanë kontaktuar me shtetasin e tyre.

    Ministria e Punëve të Brendshme, gjegjësisht, Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion ia ka pamundëuar vazhdimin e qëndrimit në Kosovë, ish-këshilltarit të Albin Kurtit, Tienmu Ma, pasiqë i njëjti nuk i ka plotësuar kriteret ligjore.

    Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Ambasadës së ShBA’ve në Kosovë se a ka kontaktuar ambasada me shtetasin e tyre dhe a kanë kërkuar sqarime shtesë nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me këtë çështje.

    Ambasada amerikane në Prishtinë është përgjigjur shkurt se nuk kanë informata për këtë çështje.

    “Faleminderit për pyetjen tuaj. Ne nuk kemi ndonjë informatë shtesë për të ndarë me ju në këtë kohë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

    Avokati i Tienmu Ma, Tomë Gashi e ka quajtur vendimin e MPB’së hakmarrje dhe të falsifikuar, teksa anëtari i VV’së, Sami Kurteshi e ka cilësuar si vendim politiko-policor, pasi sipas tij i njëjti ka hartuar raportin për dëbimin e gjashtë shtetasve turq që ka përfshirë zyrtarët e MPB’së dhe përshkak se Tienmu Ma ka qenë edhe këshilltari i ish-kryeministrit Kurti.

    Lidhur me refuzimin e lejeqëndrimit për shtetasin Tienmu Ma dje gjatë ditës për Gazetën Express ka folur ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

    Veliu ka hedhur kategorikisht poshtë akuzat se dëbimi i Ma është bërë për hakmarrje.

    “Në asnjë mënyrë nuk është hakmarrje, këtu asnjë rast nuk trajtohet në mënyrë selektive apo me porosi këtu rastet trajtohen në bazë të kërkesave me afate ligjore edhe pa ndonjë anim pa ndërhyrje nga askush”, duke shtuar se ajo është një procedurë e bazuar në udhëzime administrative dhe në ligje është procedurë që e udhëheqin komisionet që janë të formuara për ato çështje dhe organet kompetente.

    Kurse Ministria e Punëve të Brendshme në përgjigjen e tyre zyrtare për Express kanë deklaruar se Tienmu Ma nuk ka plotësuar kushtet ligjore për të vazhduar qëndrimin në Kosovë.

    “Kërkesa e shtetasit të huaj për lejeqëndrim është refuzuar për shkak se nuk janë plotësuar kriteret ligjore sipas Ligjit për të Huajt”, kanë deklaruar nga MPB.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!