×
  • Lajme
  • Lajme

    Vendosja e targave “RKS” për veturat nga Serbia që qarkullojnë në Kosovë – prej vendimit deri te protesta, krejt çka ndodhi sot

    Reporteri
    20 Shtator 2021 | 14:48

    Autor: Linda Ibrahimaj


    Qeveria e Kosovës nga sot ka marrë vendim për masën e reciprocitetit ndaj Serbisë sa i përket targave të automjeteve, vendim ky i nënshkruar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.


    Pikërisht në mëngjesin e ditës së sotme (20 shtator), Njësia Speciale e Policisë së Kosovës “ROSU” u vendosën në dy pikat kufitare në Veri, në Jarinjë dhe Bërnjak, për të mbikëqyrur dhe mbajtur rendin atje, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net“.

    “Obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në Territorin e Republikës së Kosovës. Pajisja me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës. Obligohen shoferët e mjeteve që targat e përkohshme t’i vendosin në vende të dukshme, para dhe mbrapa mjetit. Vlefshmëria e targave të përkohshme është 60 ditë”, shkruan në vendim.

    Qytetarë serb që ndodheshin në pikat kufitare në Veri nuk u pajtuan aspak me këtë vendim, derisa bllokuan edhe rrugën në Jarinjë, e në anën tjetër, Policia e Kosovës kërkonte nga ta që të protestonin, por që rruga të lirohej nga ana e tyre.

     

    Pas kësaj, reagimi ishte i menjëhershëm i Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili përmes një shkrimi në Facebook tha se situata në Veri është e qetë dhe se ky veprim ka për qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë, konkretisht targave të automjeteve.

    Derisa protesta vazhdonte në Jarinjë, mediumi serb “Blic” raportoi se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka caktuar një seancë urgjente të Këshillit të sigurisë Kombëtare për nesër (21 shtator) në ora 10-të të mëngjesit, e që sipas këtij mediumi aty do të jenë të pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviç si dhe krerët e të gjitha njësive Special të forcave serbe.

    Protestusve iu bashkua edhe Goran Rakiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, i cili i bëri thirrje presidentit të Serbisë, për të reaguar në lidhje me situatën në veri të Kosovës.

    Policia e Kosovës monitorimin e situatës në Veri po e bënte edhe përmes dronëve, derisa në Jarinjë u pa edhe një helikopterë duke patrolluar.

     

    Ndërkohë, në seancën e parë të sezonit vjeshtor, në foltoren e Kuvendit të Kosovës, kryeministri Kurti tha se targat nuk ishin dëshirë e Kosovës, por e palës tjetër.

    Në anën tjetër, KFOR-i, në një përgjigjje për Gazetën Online “Reporteri.net” vlerësoi se situata në Veri është stabile.

    “Sitatua e sigurisë është stabile. KFOR po vazhdon aktivitetet e tyre në përputhje me mandatin e tij ne OKB, që rrjedh nga rezoluta 1244 e vitit 1999 e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, për të siguruar një mjedis të sigurt, si dhe liri të lëvizjes në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, Antonio Minutella, zëdhënësi i KFOR-it.

    Ndërsa, zëdhënësi i BE-së për Politikë dhe Siguri të Jashtme, Peter Stano, në një konferencë për media tha se po vëzhgojnë situatën nga afër, derisa u bënë thirrje të dyja palëve të përmbahen dhe të reduktojnë menjëherë tensionet.

    “Jemi duke vëzhguar situatën nga afër dhe dua të theksoj liria e lëvizjes është një kusht themelor i BE-së dhe këtë e presim edhe nga Kosova dhe Serbia që ta promovojnë atë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen dhe të reduktojnë tensionet. Menjëherë dhe pa ndonjë vonesë”, tha zëdhënësi i BE, Peter Stano.

    Vendimi i reciprocitetit të targave ndaj Serbisë gjeti zbatim edhe në Prishtinë, ku Policia e Kosovës ia hoqi tabelat e Serbisë një veture, duke ia zëvendësuar me ato të përkohshme.

    Njoftim të ri pati sërish nga Ministria e Punëve të Brendshme, derisa u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që për shkak të pengesave të mundshme që mund të paraqiten në rrugë, t’i shfrytëzojnë pikat tjera kufitare.

    Ndonëse situata është e qetë, bllokimi i rrugës në Jarinjë po vazhdon që nga mëngjesi (ora 9) e deri në këtë orë.Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!