×
  • Lajme
  • Lajme

    Veriu jashtë kontrollit: Atje 2 raste me coronavirus, asnjëri i përfshirë në 91 rastet zyrtare të Kosovës

    Reporteri
    28 Mars 2020 | 23:50

    Autor: Shkumbin B. Kajtazi


    Kosova regjistron 91 raste që zyrtarisht janë të konfirmuar me coronavirus, mirëpo janë lënë jashtë kësaj liste edhe dy persona të cilët janë konfirmuar në veri të vendit.


    Reporteri.net mëson se dy persona me iniciale V.N( femër e lindur në vitin 1977) dhe D.J(mashkull e lindur në vitin 1973), me vendbanim në Mitrovicë të Veriut dhe Leposavic, janë konfirmuar me COVID 19.

    Analizat janë kryer nga Instituti i Shëndetit Publik të Serbisë, në selinë e Kragujevcit. Reporteri.net ka siguruar dokumentet që konfirmojnë të dyja rastet ditën e djeshme.

    Lidhur me këtë gjë, gazeta ka provuar të flas me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës. Pyetje janë dërguar në telefonin e zëdhënësit të MSH, Faik Hoti, por i cili nuk është përgjigjur, ani pse situata e jashtëzakonshme ka bërë që ata të jenë në punë nonstop.

    Sidoqoftë, Reporteri ka biseduar me Policinë e Kosovës në veri të vendit, të cilët konfirmuan rastet, por nuk pranuan të flasin publikisht. Burimi i gazetës brenda PK, ka thënë se bëhet fjalë për dy pacientë që janë konfirmuar nga institucionet serbe, e që për momentin janë të shtrirë në Spitalin e Mitrovicës së Veriut.

    “Janë dy raste të konfirmuara, një në Mitrovicë Veri, një në Leposaviq. Të dy janë të shtrirë në Spitalin e Mitrovicës në veri. Analizat janë kryer në Serbi dhe personat janë të raportuar vetëm në Serbi, sepse strukturat e veriut nuk i raportojnë në Prishtinë”, thonë nga Policia.

    Ndërkohë, nga Spitali i Mitrovicës një punëtor ka thënë se është krijuar një panik, pasi V.N është gjinekologe dhe ka punuar në spital deri dje, kur edhe u konfirmua si e infektuar. Tani ajo është shtrirë.

    Një qytetar nga Mitrovica, S.M, ka thënë se ka më shumë raste por që, sipas tij, po fshihen dhe shteti nuk po mund të ketë qasje në këtë pjesë.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ndërkaq, ka konfirmuar sot tri raste të reja me virusin COVID 19, dy në Prishtinë dhe një në Podujevë.

    Zyrtarisht Kosova ka 91 raste të konfirmuara më koronavirus, prej të cilave 32 në Malishevë, 15 në Gjilan, 11 në Prishtinë, 7 në Viti, 6 në Vushtri, 6 në Gjakovë, 3 në Podujevë, dhe nga një në Klinë, Lipjan, Prizren, Obiliq, Suharekë, Ferizaj, Shtime dhe Pejë. Tani, ndonëse jozyrtarisht, kësaj harte i është bashkuar edhe Mitrovica e Veriut me 2 raste, duke cuar numrin në 93./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!