×
  • Lajme
  • Lajme

    Veseli: E kuptoj entuziazmin, por kosovarëve nuk u takon që të mbajnë anë për zgjedhjet në Amerikë

    Reporteri
    20 Tetor 2020 | 13:16

    Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ngjarje e madhe për tërë botën demokratike, pasi që zgjedhet jo vetëm presidenti i popullit amerikan, por edhe lideri i botës së lirë që udhëheq hemisferën demokratike.


    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Veseli tha se pavarësisht entuziazmit dhe interesit të shtuar për këtë proces, popullit të Kosovës nuk i takon të mbajë anë në këtë proces, por duhet të respektojë vullnetin politik  eprocedurat demokratike të këtij vendi mik, shkruan Reporteri.net.

    Dy kandidiatëve për president të SHBA-ve, Donald Trump e Joe Biden, Veseli u uron fat e suksese në garën e tyre, duke thënë se beson që kushdo që fiton zgjedhjet do të vazhdojë traditën e përkrahjes së Kosovës.

    Për dallim nga i pari i PDK-së, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me anë të një videoje bëri thirrje tek shqiptarët që jetojnë në SHBA që të votojnë për kandidatin e Demokratëve, Joe Biden.

    Zgjedhjet presidenciale në SHBA pritet të mbahen me 4 nëntor.

    Ky është postimi i tij i plotë:

    Kosova e ka gëzuar gjithmonë mbështetje bipartizane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është përkrahur nga të gjitha administratat e presidentëve të Shteteve të Bashkuara pavarësisht partive. Për Kosovën, aleanca me këtë shtet mik, vazhdon të jetë në thelb të pozicionimit gjeopolitik dhe të konsolidimit të lirisë dhe demokracisë së saj.

    Unë kam pasur fatin që të takoj e bashkëpunoj qoftë me Presidentin Trump dhe qoftë me zv. Presidentin Biden, për të mirën e Kosovës. Ne jemi me fat e të bekuar me këtë aleancë të shenjtë për popullin tonë, edhe kemi përgjegjësi që ta kultivojmë atë.

    Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ngjarje e madhe për tërë botën demokratike. Populli i Amerikës zgjedh jo vetëm presidentin e tyre, por edhe liderin e botës së lirë që udhëheq hemisferën demokratike.

    Andaj, është më se i kuptueshëm entuziazmi dhe interesi i shtuar për këtë proces. Megjithatë, popullit të Kosovës nuk i takon që të mbajë anë në këtë proces por duhet të respektojë vullnetin politik e procedurat demokratike të këtij vendi mik. Shteti i Kosovës do të jetë gjithmonë me Amerikën, e padyshim Shtetet e Bashkuara të Amerikës me popullin e saj, do të jenë krah nesh.

    Presidentit Trump dhe ish-zv. Presidentit Biden iu uroj fat e suksese në garën e tyre presidenciale. Ndërkaq besoj se kushdo që i fiton zgjedhjet do të vazhdojë traditën e përkrahjes së Kosovës.

    https://www.facebook.com/kadriveseliofficial/posts/1734683950040137

    /Repoteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!