×
  • Lajme
  • Lajme

    Veseli thotë se nuk hyn në kalkulime për qeveri, paralajmëron mbetjen në opozitë

    Reporteri
    20 Mars 2020 | 19:34

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë në konferencë për media se kryeministri Albin Kurti iku nga përgjegjësitë dhe ia vulosi vetes fatin politik.


    Ai tha se PDK do ta mbështesë mocionin për rrëzimin e qeverisë.

    “Kjo ikje, në formë të tillë, është e padenjë. Sepse, nuk iket kur duhet të luftosh për popullin tënd. Por, si duket, ikja është puna që ky Kryeministër di ta bëjë më së miri. Pra, nuk mund të kishte një fund tjetër një Qeveri dhe një Kryeministër, që për një kohë kaq të shkurtër e rrezikuan skajshmërisht aleancën më jetike për Kosovën, që dështuan të ofrojnë një program zhvillimi për pritjet e qytetarëve dhe që krijuan aq shumë kundërthënie brenda vetes për një periudhë të shkurtër”, tha Veseli.

    Ai tha se nuk do të jetë pjesë e asnjë kalkulimi në të ardhmen, pas kësaj që po ndodhë.
    “Nuk e di se çfarë Qeverie do të mund të jetë më e dëmshme se kjo aktualja për vendin, por i siguroj qytetarët dhe votuesit e PDK-së se ne nuk do të jemi pjesë e asnjë kalkulimi që është i reduktuar te pushteti.

    E kam bërë të qartë, që më 6 tetor, se PDK do të qëndrojë në opozitë dhe se do të punojmë shumë për të shtyrë përpara çdo agjendë që është në interes të qytetarëve të vendit. Si opozitë, në parim, ne e mbështesim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, por kjo s’do të thotë se ne do të ndryshojmë kursin dhe statusin aktual politik”, ka thënë Veseli, teksa ka shtuar se në rrethana normale, “do të kërkonim zgjedhje të parakohshme. Por, me pandeminë këtu – e dimë se kjo është e pamundur aktualisht”.

    “Karshi zhvillimeve të ditëve të ardhshme, do të marrim edhe vendimet e tjera të nevojshme. Por, vendimet e PDK-së për këtë situatë dhe situatat pasuese gjithmonë do të ruajnë interesin tonë strategjik nacional dhe do të krijojnë siguri dhe të ardhme për qytetarët tanë dhe shtetin”, tha ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!