×
  • Lajme
  • Lajme

    Veseli: Ulemi në tavolinë me Serbinë kur na thotë SHBA-ja, por jo marrëveshje që cenon sovranitetin e vendit

    Reporteri
    16 Korrik 2019 | 21:50

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, thotë se vendi i tij nuk bën me Serbinë asnjë marrëveshje, e cila cenon sovranitetin dhe integritetin e vet territorial. Ai tha se Serbia tenton të krijojë situata përmes të cilave të përfitojë për vete.


    Veseli tha se e mbështet idenë e një pezullimi të përkohshëm të tarifës ndaj mallrave serbe për t’i hapur rrugë rifillimit të bisedimeve, nëse kjo do të ishte e nevojshme. Por, sipas tij, një pezullim i tillë nuk mund të jetë i përjetshëm.

    Kryeparlamentari thotë se Serbia duhet ta njohë shtetin e pavarur e sovran të Kosovës, territorin në të cilin jemi.

    “Ne, po ashtu, do ta njohim shtetin e Serbisë. Jemi për hapjen e një epoke të re, një epoke të bashkëpunimit dhe të komunikimit. Kjo do të na lehtësonte ne dhe Serbinë, për faktin se kanë kaluar dy dekada pas çlirimit të Kosovës. Serbia e di saktësisht se e ka humbur Kosovën. Serbia tenton të manipulojë, të krijojë situata përmes të cilave mendon të përfitojë për vete”, ka deklaruar Veseli për Zërin e Amerikës, transmeton Reporteri.net.

    Ndërsa lidhur me tarifën ndaj produkteve serbe, Veseli thotë se tarifa është një histori e dhimbshme e sjelljes së Serbisë karshi Kosovës.

    “Ne kemi vendosur tarifa si kundër-reagim ndaj kësaj politike destruktive të Serbisë, por assesi nuk duam që tarifa të përdoret si përgjigje dhe komunikim i yni me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse kam ofruar edhe opsionin përmes së cilës ne i themi ‘Po’ Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por duhet të kemi edhe një gjë parasysh në çështjen e tarifës: nuk është mirë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i japin inkurajim Serbisë duke vënë presion të njëanshëm vetëm ndaj Kosovës për çështjen e tarifës, përderisa Serbia na ka vënë ne tarifë që 20 vjet”, thotë Veseli.

    Kurse për prekjen e kufijve, Veseli thotë se Kosova është çështje e përfunduar.

    “Unë dëgjova edhe kryeministrin tim tani që fliste për uljen në tryezën e bisedimeve. Ne ulemi kurdo që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian na thonë të ulemi në tavolinën e bisedimeve me Serbinë. Por ne nuk bëjmë asnjë marrëveshje, e cila cenon sovranitetin dhe integritetin tonë territorial, por edhe institucional”, thotë Veseli.

    Ndëras për marrëdhëniet brenda koalicionit, Veseli e pranon se koaliconi ka dallimet konceptuale mes vete.

    “Në formën si e shoh unë çështjen e tarifës dhe çështjen e dialogut. Dhe ka një pragmatizëm ku unë e mbroj interesin tim, duke mos lejuar asnjëherë që komunikimi me Serbinë, forma në të cilën komunikoj me Serbinë, të bartet njëtrajtshëm edhe me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Ky është dallimi mes meje dhe Kryeministrit Haradinaj, i cili duhet ta bëjë këtë dallim. Kur flas për Serbinë, edhe 1000% ia vë taksën, por kur flasim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian ne duhet të jemi pragmatikë, duhet të jemi pak më të mençur. Kjo është çështja që dallon”, thotë Veseli.

    Ndërkaq për mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, kreu i PDK-së thotë se zgjedhjet e reja janë çështje demokratike, por sipas tij opozita është e çakorduar dhe e çoroditur e cila më tepër flet se merr vendime.

    “Nuk besoj se kjo opozitë në rend të parë ka ndonjë opsion alternativ e le më ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme”, thotë Veseli.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!