Veseli viziton policët e plagosur: Ju jeni trimat e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli  gjatë ditës së sotme ka vizituar në Spitalin e Mitrovicës, policët kosovarë të cilët mbetën të lënduar aksionin e sotëm në veri të vendit.


Veseli nga spitali ku ata po trajtohen nga plagët e marra tha se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, me përjashtim të njërit i cili ndodhet në gjendje më të rëndë, por jashtë rrezikut për jetë. Ai tha se këta policë aktualisht janë trimat e Kosovës, shkruan Reporteri.net

Veseli nga aty u zotua se sundimi i ligjit do të jetë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

“Ky do të jetë edhe një mesazh për të gjithë ata të cilët janë të involvuar në krim të organizuar dhe korrupsion, shteti i Kosovës dhe ligji do të jetë i pakompromis, pavarësisht nëse mbajnë një petk zyrtar apo kanë një post zyrtar, qoftë politik apo në uniformë, pa dallim etnie. Ajo çfarë është pozitive, policët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Njëri i cili ka qenë i lënduar më rëndë është jashtë rrezikut për jetë. Po ashtu edhe policët e tjerë të cilët do t’i vizitojë tani, janë jashtë rrezikut për jetën. Ata janë trimat e Kosovës. Ne, të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe unë si bartës i përgjegjësive institucionale, i falënderoj për përkushtimin dhe punën e jashtëzakonshme, për mbajtjen e rendit dhe sundimin e ligjit. Do ta kenë përkrahjen tonë të plotë”, ka thënë ai.

Ndryshe, Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka ndërmarrë një aksion të gjerë në nivel vendi, të përqendruar në veri të Kosovës, ku ka arrestuar dhjetëra serbë të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar dhe kontrabandë.

Nga  ky aksion të lënduar kanë mbetur 4 pjesëtarë të Policisë së Kosovës. /reporteri.net