×
  • Lajme
  • Lajme

    Vetëvendosje i kërkon Prokurorisë që t’ia dorëzojë raportin e ekspertizës familjes Dehari

    Reporteri
    17 Tetor 2019 | 16:46

    Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që sa më shpejtë t’ia dorëzojë familjes Dehari raportin e ekspertizës së pavarur ndërkombëtare nga Qendra Spitalore Universitare në Lozanë të Zvicrës.


    Pas njoftimit se ky raport tani ka mbërritur në Kosovë, VV-ja ka kërkuar që raporti të dorëzohet sa më shpejtë në gjuhën origjinale.

    “Sot u informuam nga konferenca për media e Prokurorisë së Kosovës se raporti i ekspertizës së pavarur ndërkombëtare nga Qendra Spitalore Universitare në Lozanë të Zvicrës, i kërkuar nga Familja Dehari dhe i lejuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ka mbërritur në Kosovë. Edhe pse Prokuroria dhe Ministria e Drejtësisë duhet të kishin njoftuar opinionin publik me kohë për arritjen e këtij raporti, vetëm pas kërkesave të njëpasnjëshme të avokatit mbrojtës e përfaqësuesit ligjor i familjes si dhe kërkesave të familjes Dehari, më në fund sot u deklaruan për pranimin e raportit të lartëcekur. Kërkojmë nga Prokuroria që sa më parë t’i përgjigjet kërkesës duke ia dorëzuar Familjes Dehari dhe përfaqësuesit ligjor e avokatit mbrojtës të familjes Dehari, raportin në gjuhën origjinale. Si dhe ta publikojë atë në versionin orgjinal dhe të përkthyer në gjuhën shqipe”, thuhet në reagimin e VV-së.

    Prokurori i Shtetit përmes një kumtese për media sot njoftoi se raporti i ekzaminimit për rastin e Astrit Deharit, do t’i dërgohet familjes së tij dhe do të bëhet publik për media sapo të përkthehet në gjuhën shqipe, sepse tani është në gjuhën origjinale, atë zvicerane.

    Aktivisti i VV-së, Astrit Dehari ishte arrestuar më 30 gusht të vitit 2016, nën dyshimin se bashkë me aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes e sulmuan Kuvendin e Kosovës. Ai vdiq më 5 nëntor të po të njëjtit vit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Kosovë kishte vlerësuar se Dehari kishte bërë vetëvrasje, por rezultatet e këtij raporti nuk u pranuan nga prindërit e të ndjerit, të cilët më pas kërkuan hetim ndërkombëtar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!