×
  • Lajme
  • Lajme

    Vetëvendosje mirëpret aksionin e mbrëmshëm në Karaçevë, por kritikon Veliun

    Reporteri
    19 Shtator 2020 | 12:48

    Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka thënë se nga kjo parti mirëpresin operacionin e mbrëmshëm të Policisë në fshatin Karaçevë të Kamenicës.


    Nagavci ka shkruar se aksione të tilla, rezultatet konkrete në luftimin e krimit e korrupsionit duhet të jenë të vazhdueshme e të natyrshme, mirëpo sipas saj ky operacion i Policisë, nuk e zëvendëson obligimin e ministrit të punëve të brendshme, Agim Veliu, të mbajë të informuar Kuvendin për secilën çështje që është me interes.

    Për këtë çështje, Nagavci ka thënë se Kuvendi duhet të miratojë Rezolutën e propozuar nga Vetëvendosje.

    Reagimi i plotë:

    Përshëndesim operacionin e mbrëmshëm në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës dhe bashkëpunimin ndërmjet prokurorisë, policisë dhe inspektoratit policor.
    Ky operacion sipas njoftimit është rezultat i një hetimi një vjeçar, i bashkëpunimit të institucioneve e agjencive shtetërore, por edhe i aktivizmit qytetar, presionit publik sikurse dhe angazhimit të deputetëve e komisionit funksional të Kuvendit të Republikës.
    Aksione të tilla, rezultatet konkrete në luftimin e krimit e korrupsionit duhet të jenë të vazhdueshme e të natyrshme. Secili institucion dhe zyrtar publik duhet të kryej me kompetencë, përgjegjësi e nderë detyrën që merr përsipër.
    Operacionit i Policisë së Kosovës, nuk zëvendëson obligimin e ministrit të punëve të brendshme, zt.Veliu, të mbajë të informuar Kuvendin për secilën çështje që është me interes, ashtu sikurse ishte dhe Interpelanca e djeshme e ftuar nga LV! në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, respektivisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.
    Patrullimi i pjesëtarëve të uniformuar të Serbisë nëpër rrugët e fshatit Karaçevë u regjistrua nga banorët e fshatit, u dëshmua nga të pranishmit si dhe u konfirmua nga Policia e Kosovës, andaj është detyrë e institucioneve të sigurisë mbrojtja e integritetit të vendit , e secilit qytetarë.
    Ndërkohë dhe Kuvendi duhet të miratoi Rezolutën e propozuar nga LV! me dy pikat si mē poshtë:
    1. Institucionet e Republikës së Kosovës të ndërmarrin masat e nevojshme dhe t’i përdorin të gjithë mekanizmat kushtetues e institucional për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
    2. Brenda dy muajve të vendoset një nën-stacion i përhershëm i Policisë së Kosovës në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!