×
  • Lajme
  • Lajme

    Vetëvendosje në heshtje të plotë pas ftesës që Netanyahu i bëri Kurtit për ta inauguruar Ambasadën e Kosovës në Izrael

    Reporteri
    28 Shkurt 2021 | 11:30

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka marrë disa urime nga liderë të ndryshëm të botës pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit.


    Dy prej më të rëndësishmeve, janë, urimi nga kryeministri i Izraelit, Benyamin Netanyahu dhe nga presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

    Kryeministri izraelit, Netanyahu në letrën e dërguar, tri ditë pas 14 shkurtit, përkatësisht më datën 17 shkurt, e uron Kurtin për fitoren dhe flet edhe për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike mes dyja vendeve, duke thënë se e ka mirëpritur këtë marrëveshje dhe se shpreson për një etapë të re të zhvillimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Izraelit.

    Netanyahu ndër të tjera përmend edhe vendimin e Kosovës që Ambasadën e saj ta vendosë në Jerusalem, derisa shton se pret që ta ftojë Kurtin në inaugurimin e Ambasadës, përkundër që zyrtarë të VV-së kishin thënë se do ta shqyrtojnë vendimin për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Izrael.

    Gazeta Online “Reporteri.net” dje dhe sot ka tentuar ta marrë një përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje për t’i pyetur nëse Kurti pasi të marrë pozitën e kryeministrit, do të pranojë apo jo ftesën e Netanyahut për të shkuar në Izreal që të bëjë hapjen e Ambasadës në Jeruslaem, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë përgjigje.

    Gazeta i ka dërguar pyetje me email sekretares së përgjithshme të VV-së, Vlora Haxhimehmedi, por ajo nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e shkrimit.

    Përgjigje gazeta ka tentuar të marrë edhe një nga njerëzit më të afërt të Kurtit, zëdhënësi i partisë, Përparim Kryeziu, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike, e as në mesazhin që i është dërguar në telefon.

    Thirrjes telefonike nuk i është përgjigjur as nënkryetarja e këtij subjekti, Fatmir Mulhaxha-Kollçaku, të cilës i janë dërguar pyetjet me mesazh edhe në telefon dhe në Facebook.

    Megjithatë, kujtojmë se anëtari i kryesisë së VV-së, Glauk Konjufca, javë më parë ka thënë se nëse Kosova kushtëzohet për hyrjen në BE me zhvendosjen e ambasadës së Kosovës nga Jerusalemi, atëherë kjo do të rishqyrtohet.

    “Ajo do të mbetet aty ku është, deri nëse eventualisht ne kushtëzohemi gjatë proceseve të ndryshme ndërkombëtarë që të mos jetë aty. Psh nëse Kosova kushtëzohet nga Bashkimi Evropian gjatë procesit integrimeve evropiane që hyrja jonë në BE të kushtëzsohet përmes ndryshimit të lokacioneve të ambasadës sonë, unë mendoj që kjo do të duhet të rishqyrtohej. Meqenëse është vitale për Kosovën dhe jetike që ne të bëhemi pjesë e BE-së”, kishte thënë Konjufca në një debat televizive.

    Ndërsa nuk dihet se si do të veprojë Kurti, presidenti i Turqisë, Erdogan, në letrën e dërguar kreut të VV-së, për ta uruar për fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka thënë se mirëpret qëndrimet e VV-së, se do të shqyrtohet vendimi i Kosovës për vendosjen e Ambasadës në Jerusalem.

    Erdogani i ka thënë Kurtit se po të shmangej një hap i tillë do të bëhej gjëja e dobishme.
    “Për më tepër, jam i kënaqur, kur mësova për qëndrimin e partisë suaj që, nëse vjen në pushtet, do ta rishikojë angazhimin e Kosovës për hapjen e Ambasadës në Jerusalem. Besoj se do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, i cili mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”, ka shkruar Erdogani në letrën e tij. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!