×
  • Lajme
  • Lajme

    LDK thotë se nuk u ftua në manifestimet për Ditën e Çlirimit, Vetëvendosje po

    Reporteri
    12 Qershor 2019 | 23:11

    Me një manifestim solemn dhe aktivitete të tjera të shumta sot u kremtuar Dita e Çlirimit – 20 vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.


    Manifestimet e sotme i bënë edhe më madhështore me pjesëmarrjen e tyre ish-presidenti i SHBA, Bill Clinton, ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, ish-komandanti i NATO-s, gjenerali amerikan Wesley Clark dhe personalitete të tjera ndërkombëtare dhe figura të larta politike nga Shqipëria dhe Kosova.

    Këto aktivitete u organizuan nga zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në bashkëpunim me ish presidenten, Atifete Jahjaga, por aty nuk ishte ish-kryeministri dhe kreu i partisë më të madhe opozitare në vend, Isa Mustafa as kryetari i LVV-së, Albin Kurti.

    Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se Mustafa nuk ka pasur ftesë as si kryetar i LDK-së e as si ish-kryeministër.

    “Nuk ka pasur ftesë, as si kryetar i LDK-së e as si ish kryeministër. Nuk jam i sigurt pse ka ndodhur kjo, por nuk kemi dashur të reagojmë, ta bëjmë temë këtë, kur sot në Kosovë ka pasur kaq shumë personalitete ndërkombëtare”, ka thënë ai.

    Ndërsa Albulena Haxhiu nga LVV ka thënë për Telegrafin se kanë pasur ftesa.

    “Po kemi pasur ftesa. Disa prej deputeteve kanë qenë të pranishëm në organizimet shtetërore”, ka thënë ajo.

    Kurse në ceremonitë e nisura që nga paradita, përvec udhëheqësve amerikanë morën pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama. Po ashtu, i pranishëm ishte edhe ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq.

    Edhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan, Matthew Palmer, mbajti fjalim sot në ceremoni, duke përmendur se Kosova duhet të arrijë marrëveshje me Serbinë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!