×
  • Lajme
  • Lajme

    Vitia: Gjendje e rëndë në spitale, pavarësisht uljes së numrit të rasteve me COVID-19 situata është ende jostabile

    Reporteri
    08 Shtator 2021 | 11:27
    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pas mbledhjes së Qeverisë është deklaruar për media për miratimin e plotësim-ndryshimit të 15 ligjeve në sektorin e shëndetësisë e për gjendjen me pandeminë.


    Me këtë rast, Vitia ka thënë se ditëve të fundit ka pasur rënie të numrit të rasteve të infektuara me COVID-19 e të hospitalizimeve nga ky virus.

    Megjithëse ai ka thënë se gjendja është ende e brishtë dhe jostabile.

    “Të dhënat e fundit nga IKSHPK na flasin për një rënie të numrit të rasteve me COVID-19 nga 20 për qind të pozitivitetit sa ishte në gusht, shkalla e pozitivitet të mostrave të testuara ka rënë tani në 8 për qind, por që është ende e lartë dhe akoma e pamjaftueshme. Situata vazhdon të jetë akoma e brishtë dhe jostabile. Me një pozitivitet mesatar javor prej 10.5 për qind në këtë javën e fundit, jep shpresë se është një fazë qetësimi në raport me ditët dhe javët e kaluara, ku java paraprake kishte një pozitivitet prej 15.6 për qind”, ka thënë ai.

    Vitia ka thënë se edhe pse ka pasur rënie të numrit të rasteve të hospitalizuara, gjendja në spitale është ende e rënduar.

    “Kemi një gjendje të rënduar akoma në spitalet tona. Rastet që janë të shtruara sot janë të infektuara 10 deri në 14 ditë mëherët dhe kemi akoma numër ende të lartë të pacientëve, që është një ngarkesë e madhe edhe për profesionistët tanë dhe infrastrukturën spitalore dhe fatkeqësisht ditëve të kaluara kemi pasur edhe një numër të madh të rasteve me fatalitet. Dëshiroj edhe njëherë të shpreh ngushëllimet më të sinqerta të gjithë familjarëve që kanë humbur të dashurit të tyre në këtë kohë të vështirë”, ka shtuar ai.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!