×
  • Lajme
  • Lajme

    Vjosa Osmani ia zëvendëson familjes së Agim Ramadanit medaljen që u ishte vjedhur nga hajnat

    Reporteri
    16 Prill 2021 | 13:45

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se sot familjes së heroit të kombit, Agim Ramadani, ia ka dorëzuar kopjen e dekoratës “Urdhri Hero i Kosovës”, shkruan Reporteri.net.


    Kjo medalje, të cilën ia kishte ndarë presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, e të cilën më 19 prill 2009 ia kishte dorëzuar ish-presidenti Fatmir Sejdiu ishte humbur.

    E njëjta, siç raportoi Gazeta Online “Reporteri.net” ditë më parë ishte vjedhur, gjatë kohës kur familjes së Agim Ramadanit u ishte thyer banesa. 

    Presidentja Osmani ka thënë se medalja ishte humbur pa fajin e familjes dhe legjislacioni aktual lejon që ajo të ridorëzohet në raste të tilla.

    “Familjes së heroit të kombit, Agim Ramadanit, veprimtarit e luftëtarit të paepur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ia dorëzuam kopjen e dekoratës “Urdhri Hero i Kosovës”, të cilën ia kishte ndarë presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, e të cilën më 19 prill 2009 ia kishte dorëzuar presidenti Fatmir Sejdiu.

    Fatkeqësisht, medalja ishte humbur pa fajin e familjes dhe legjislacioni aktual lejon që ajo të ridorëzohet në raste të tilla.

    Agim Ramadani është njëri ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili në betejën e Koshares e theu kufirin i cili i ndante shqiptarët dhe e krijoi shpresën për çlirimin përfundimtar të Kosovës.

    Duke ia dorëzuar këtë dekoratë familjes së heroit Ramadani ne e ritreguam kujdesin e institucioneve të vendit ndaj atyre që me heroizmin e tyre na mundësuan ta preknim lirinë, por edhe ndaj familjeve të tyre. Ky kujdes do të jetë i vazhdueshëm”, ka shkruar ajo. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!