×
  • Lajme
  • Lajme

    “Vjosa Osmani nuk e ka shkelur Kushtetutën, amendamentet që i kufizojnë kompetencat nuk u miratuan në Kuvend”

    Reporteri
    30 Nëntor 2020 | 13:23

    Ndaj raportimeve se Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani e ka shkelur Kushtetutën përmes vendimeve që i mori javën e kaluar për shkarkimin e disa konsujve, në mesin e tyre edhe Flakron Shalën, djalin e deputetit të AAK’së, Haxhi Shala, ka reaguar Artan Murati, këshilltar i u.d së Presidentes.


    Murati i sheh tendencioze dhe të pabazuara raportimet. Shkon aq larg sa mediat që raportuan një gjë të tillë, sipas tij, shpërfaqin mos-njohuri elementare të situatës faktike e juridike në vend.

    “U.d. e Presidentes, znj. Vjosa Osmani, NUK ka shkelur Kushtetutën”, shprehet i bindur këshilltari i Kryeparlamentares Osmani.

    “Këto amendamente kushtetuese, të cilave u janë referuar portali në fjalë, asnjëherë nuk janë votuar e as nuk kanë hyrë në fuqi. Pra, kanë mbetur vetëm propozim-amendamente, pa u materializuar”, shpjegon ai.

    “Përderisa nuk ka asnjë amendament kushtetues i cili miratohet në Kuvend dhe i cili i kufizon kompetencat e u.d. të Presidentit, atëherë u.d Presidentja vishet me të gjitha kompetencat kushtetuese të Presidentit në momentin që fillon ushtrimin e detyrës. Të paktën mundohuni të mos e shpërfaqni paditurinë e thellë. Kaq”, shkruan Artan Murati.

    Ndryshe, disa media në Kosovë kanë raportuar sot se një aktgjykim i vitit 2012 specifikon qartë vendimet të cilat i ndalohen ushtruesit të detyrës së Presidentit të Kosovës.

    Sipas këtyre raportimeve, nga gjashtë kompetencat që nuk mund t’i ushtrojë ai/ajo që ushtron detyrën e shefit të shtetit, Kushtetuesja e kishte renditur edhe emërimin dhe shkarkimin e shefave të misioneve diplomatike.

    “Ushtruesi i detyrës se Presidentit te Republikës se Kosovës ushtron te gjitha kompetencat e Presidentit me përjashtim te: 6 (1) propozimin e amendamenteve Kushtetuese; (2)shpalljen e gjendjes se jashtëzakonshme, pa miratimin e Kryeministrit; (3) emërimin dhe shkarkimin e gjyqtareve dhe te prokuroreve te Republikës se Kosovës; (4) emërimin dhe shkarkimin e shefave te misioneve diplomatike te Republikës se Kosovës; (5) shpalljen e faljeve individuale, dhe (6) dhënien e medaljeve, mirënjohjeve dhe te çmimeve”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për “Amendamentet e propozuara kushtetuese, te dorëzuara nga Kryetari i Kuvendit te Republikës se Kosovës me 23 mars 2012 dhe 4 maj 2012”.

    Kryeparlamentarja Vjosa Osmani po ushtron detyrën e Presidentit të vendit qysh nga fillimi i muajit nëntor, kur ish-Presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqje pasi iu konfirmua, nga Gjykata e Hagës, aktakuza për krime lufte.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!