×
  • Lajme
  • Lajme

    Vjosa Osmani shkon në organizimin e Thaçit, s’dihet ende për Albin Kurtin

    Reporteri
    17 Shkurt 2020 | 16:09

    Vjosa Osmani do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti Thaçi. Kryeministri Albin Kurti, fillimisht e ka paralajmëruar shkuarjen e tij, e në agjendën e sotme të kryeministrit nuk figuron tij. Zyra e tij nuk ka treguar nëse shkon në ndejën e Thaçit.


    Kryeparlamentarja Vjosa Osmani do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti Hashim Thaçi për 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Katedralen “Nënë Tereza”.

    Pjesëmarrjen e saj e ka konfirmuar për Express kabineti i Kryparlamentares.

    Presidenti Thaçi nga ana tjetër, mungoi në seancën solemne të Pavarësisë, ku Osmani mbajti fjalën e saj për herë të parë si kryeparlamentare e shtetit.

    Në agjendën që Zyra e Kryeministrit e ka publikuar të premten, pritja e Hashim Thacit është një nga ngjarjet ku Kurti pritet të marrë pjesë.

    “Pritje shtetërore me rastin e 12 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë se Kosovës (Pritje për 12 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, nën kujdesin e SH.T.Z Hashim THAÇI President i Republikës së Kosovës”, shkruante në njoftimin e ZKM’së.

    Megjithatë Zyra e Kurtit sot ka dërguar një njoftim tjetër për agjendën e shefit të Qeverisë, e aty nuk figuron lajmërimi për pjesëmarrje të tij në ngjarjen e organizuar nga Thaçi.

    Presidenti Thaçi nuk ka raporte të mira me dy krerët e tjerë shtetërorë.

    Kryeparlamentarja Osmani me të marrë detyrë, ka zhvendosur fotografinë e Thaçit nga zyra e kreut të Kuvendit, e në vendin e tij e ka vendosur fotografinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

    Ndërkaq Kurti, zyrtarisht është takuar vetëm njëherë në 20 vjetët e fundit me Presidentin Thaçi. Takimi për ta marrë mandatin e kryeministrit ka zgjatur vetëm katër minuta.

    Ditë më parë, Kurti si kryeministër i vendit, i ka dërguar ftesë Thaçit që të koordinohen për politikën e jashtme, para se të shkojnë në Mynih, ku u mbajt Konferenca e Sigurisë. Thaçi nuk iu përgjigj ftesës së Kurtit, e as nuk e ka komentuar atë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!