×
  • Lajme
  • Lajme

    Vllasi: Atentati ndaj meje, ishte fillimi i planit ogurzi të organizatës “Syri i Popullit”

    Reporteri
    22 Janar 2020 | 18:34

    Shtatë anëtarët e organizatës “Syri i Popullit” janë shpallur fajtorë për veprën penale “përgatitje të veprave terroriste”dhe janë dënuar me 41vjet burgim.


    Kjo organizatë drejtohej nga Murat Jashari i cili akuzohej për tentativë vrasjeje të avokatit të njohur Azem Vllasit i cili ka folur ekskluzivisht në Info Magazine të Klan Kosovës.

    Si e sheh ai dënimin që Gjykata i ka shqiptuar sot anëtarëve të organizztës “Syri i Popullit”?

    “Vendimi i gjykatës ishte i drejtë, korrekt dhe i bazuar tërësisht në prova. Janë administruar gjatë shqyrtimit kryesor shumë prova, videoincizime, audioincizime, mbi më shumë se 10.000 faqe shkresa të ndryshme dhe janë dëgjuar afër 40 dëshmitarë. Si rezultat i kësaj është dhënë vlerësimi i gjykatës, gjetjet e gjykatës dhe vendimi për masa ndaj atyre që i shpall fajtorë”.

    Vllasi në këtë intervistë ekskluzive ka ngritur dyshime nëse diagnoza për gjendjen psikike të Murat Jasharit – njeriut që akuzohej për tentim vrasjeje ndaj tij – është vërtetë e tillë ashtu siç ka konstatuar ekspertiza neuro-psikiatrike.

    “A ishte vërtetë kryesori i kësaj organizate kriminele terroriste Murat Jashari ishte psiqikisht kaq i sëmurë sa të mos mund t’i kontrollonte veprimet e veta kur erdhi të kryejë atentat ndaj meje? Nga provat e administruara del se ai e ka bërë planin detajisht me vetëdije të plotë së bashku me dy ndihmës ku me njërin prej tyre ka gjetur lidhje që ta ketë qasjen më të lehtë te unë dhe të ngjashme”.

    “Unë e kuptoj dhe nuk e fajësoj aspak as Prokurorinë dhe Gjykatën, sepse janë të obliguar që të mbështeten te gjetjet e ekspertizës neuro-psikiatrike. Ekspertiza neuro-psikiatrike për Murat Jasharin ishte sipërfaqësore dhe jo e hollësishme, sidomos për faktin se a ishte ai vërtet i vetëdijshëm kur erdhi të gjuajë ndaj meje”.

    “Atentati ndaj meje ishte vetëm fillim i zbatimit të planit ogurzi të kësaj organizate terroriste në krye me Murat Jasharin për vrasje të personave. Ishte një plan që nuk dihet se kush është përzier aty, por ka shkaktuar kaos dhe pasiguri në Kosovë. Me këtë vendim u përmbyll kjo organizatë dhe ata që gjykata i ka gjetur fajtorë e kanë marrë dënimin që gjykata e ka vlerësuar si të drejtë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!