×
  • Lajme
  • Lajme

    Vlora Dumoshi i jep një çmim të rëndësishëm ish-vjehrrit të saj

    Reporteri
    01 Tetor 2020 | 16:49

    Me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” e ka nderuar ish-vjehrrin e saj Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi. Fjala është për regjisorin dhe dramaturgun Ekrem Kryeziu, që është gjyshi i dy djemve të ministres Dumoshi, nga martesa e saj me këngëtarin Shkumbin Kryeziu, e cila shumë vite më parë përfundoi me ndarje.


    Përveç ish-vjehrrit të Ministres, Ekrem Kryeziut, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, para disa javësh, me çmimin vjetor për Kinematografi është vlerësuar regjisori Samir Karahoda.

    Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka kërkuar sqarime nga Ministria e Kulturës për mënyrën e ndarjes së këtij çmimi për ish-vjehrrin e saj nga ana e Ministres Vlora Dumoshi, si dhe përbërjen e jurisë që ka ndarë këtë dekoratë për vepër jetësore, por të njëjtit nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës.

    E njoftimin për këto vlerësime e ka dhënë vetë Ministrja Dumoshi, duke thënë se vendimi erdhi nga një Juri Profesionale e cila vendosi që ndarjen e çmimit kryesor ta bëjë për regjisorin Kryeziu.

    Aty potencohet se regjisori Kryeziu ka krijuar filma edhe pas mbylljes së institucioneve nga regjimi serb dhe ka kontribuar jashtëzakonisht shumë për kinematografinë e Kosovës.

    “Si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përgëzoj nga zemra fituesit e çmimeve dhe konsideroj që këto çmime janë një mirënjohje institucionale për punën që bëjnë njerëzit që merren me kinematografi në vendin tonë”, thuhej në kumtesën që lëshoi për media zyra e Ministres Dumoshi.

    Sot, ndërkaq, vetë Dumoshi e ka publikuar fotografinë nga momenti kur ia dorëzoi çmimin regjisorit që e ka edhe familjar, të cilin e ka përgëzuar për kontributin shumëvjeçar.

    “Përgëzoj regjisorin Kryeziu për çmimin që i ndahet si vlerësim për kontributin e tij të çmuar shumëvjeçar duke qenë ndër nismëtarët që trasoi rrugën për filmbërësit e rinj dhe regjisorin Karahoda i cili solli një film që tejkaloi kufijtë e Kosovës e që ka për epiqendër temën e ndjeshme të migrimit”, ka thënë sot Dumoshi.

    Sidoqoftë, regjisori Ekrem Kryeziu është babai i këngëtarit Shkumbin Kryeziu, me të cilin vite më parë ishte e martuar Ministrja Vlora Dumoshi. Dumoshi e Kryeziu nga kjo martesë e dështuar kanë dy fëmijë.

    Vet Ministrja, në një intervistë televizive kohë më parë, kishte deklaruar se te ndarja me Shkumbin Istrefin ka ardhur pas një tradhtie që i kishte bërë ai, edhe pse në atë kohë ata veçse ishin prindër të dy djemve.

    Në të njëjtën interviste ajo kishte folur edhe për raportet e mira që i ruan me ish-vjehrrin e saj, gjegjësit me regjisorin Ekrem Kryeziu dhe gruan e tij.

    Nga ana tjetër, Shkumbin Kryeziu tashmë, prej vitesh nga ndarja me Dumoshin, është i martuar me këngëtaren Mimoza Kryeziu.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!