×
  • Lajme
  • Lajme

    Von Cramon: Deklaratat e Vuçiqit pas marrëveshjes në Ohër, u pritën shumë keq në BE

    Reporteri
    28 Mars 2023 | 9:30

    Deputetja e të Gjelbërve në Parlamentin Evropian (PE) Viola von Cramon ka thënë se deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas marrëveshjes në Ohër më 18 mars, u pritën shumë keq në Bruksel.

    “Retorika pas gjithçkaje dhe tallja me ‘dhimbje torturuese në dorën e djathtë’ u prit shumë keq, si në Bruksel ashtu edhe në kryeqytetet kyçe të Bashkimit Evropian (BE)”, tha Cramon për gazetën serbe Nova, duke komentuar deklaratat e Vuçiqit për mosnënshkrimin e marrëveshjes, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Von Cramon , deklaroi se “nuk i takon Serbisë të vendosë nëse Kosova mund të hyjë në OKB”.

    Ajo shtoi se e kupton që deklarata të tilla janë “për audiencën e brendshme”, por tha se nuk është në dorën e Serbisë, sepse pranimi në OKB varet nga vendimi i Këshillit të Sigurimit, ku Kina dhe Rusia ende mund të vënë veton.

    Cramon thotë gjithashtu se është mjaft e sigurt se pozita ndërkombëtare e Serbisë do të kishte qenë shumë më e mirë nëse do të kishte vendosur sanksione ndaj Rusisë.

    “Kemi vënë re renditjen e Serbisë në OKB dhe në forume të tjera ndërkombëtare, por ajo që duhet të shohim nuk është vetëm vendosja e sanksioneve, por edhe një largim i qartë nga Rusia. Prania e RT dhe Sputnik, të cilat prodhojnë përmbajtje në gjuhën serbe, e bën këtë jashtëzakonisht të vështirë dhe për këtë arsye ne insistojmë që Serbia t’i ndalojë ato. Gjithashtu, drejtori prorus i BIA-s, Aleksandar Vulin, është një shembull tjetër se pse Serbia ka një reputacion si një kukull ruse në Ballkan. Ne po humbasim besimin në shërbimin e inteligjencës serbe dhe unë personalisht do të kisha frikë të bëja diçka kundër Rusisë në Serbi për sa kohë që ai mban atë pozicion”, tha citohet të ketë thënë Cramon. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!