×
  • Lajme
  • Lajme

    Votohet Projektligji për këmbimin e notave diplomatike Kosovë-SHBA

    Reporteri
    13 Dhjetor 2021 | 16:11

    Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-073 për ratifikimin e këmbimit të Notave Diplomatike në lidhje me asistencën e ofruar në formë granti sipas Aktit për ndihmë të jashtme të vitit 1961 dhe Aktit për kontroll të shitjeve të armëve mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka krijuar debat në Kuvend, shkruan Reporteri.net.

    Me 83 vota pro ka kaluar marrëveshja.

    Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se do ta votojë këmbimin e notave diplomatike.

    Abelard Tahiri nga kjo parti, tha se Grupi Parlamentar i PDK-së, nuk e ka të qartë “pse duhet votuar në Kuvendin e Kosovës” kjo pikë, ku sipas tij, fillimisht do të duhej të miratohej përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.

    “Ne kemi të drejtë ta dimë se pse Kosova po e trajton këtë çështje ndryshe. Pse Kosova nuk i kthen notë diplomatike SHBA-së, pa ardhur kjo pikë fillimisht në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh ai.

    Anton Çuni nga Lidhja Demokratike, ka thënë se partneriteti i Kosovës me SHBA-në është tejet i rëndësishëm, në veçanti në fushën e sigurisë.

    “Jemi të vetmit që kësaj note verbale, i përgjigjemi me projektligj. Nuk po flasim për dy procese analoge. Nota verbale do të duhej të bëhej nga Ministria e Punëve të Jashtme”, u shpreh ai.

    Edhe Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, “ka konfirmuar se e mbështet votimin e këtij projektligji”.

    Disa deputetë, e kanë votuar këtë projektligj por e kanë kritikuar sjelljen e saj në Kuvendin e Kosovës dhe se pse nuk ka shkuar përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.

    Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, nuk ka qenë e pranishme në Kuvendin e Kosovës për ta marrë fjalën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!