Vrasja e 63 vjeçares në Prishtinë, reagon ministrja Haxhiu

Një grua e moshës 63-vjeç është vrarë me sëpatë nga i dyshuari bashkëshorti i saj, I.G., 70-vjeç.

Krimi brenda familjes ndodhi mëngjesin e së premtes në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar që të vihet drejtësi për këtë rast. Haxhiu ka thënë se vrasja e grave nga burrat e tyre, tashmë është bërë një fenomen shumë shqetësues në Kosovë.

“Në mëngjesin e sotëm, rrugës drejt aktivitetit të parë të Kampanjës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, aktivitetit në shkollë me nxënës dhe arsimtarë, mora lajmin tronditës: Një grua vritet nga burri i saj. Një arsimtare e një shkolle në Prishtinë.
Është fenomen tejet shqetësues, vrasja e grave nga burrat e tyre.
Ky lajm, kjo vrasje e rëndë, na pikëllon thellë të gjithëve, por ne do të gjejmë edhe më shumë forcë, drejt ngritjes së vetëdijes qytetare dhe përgjegjësisë institucionale. Drejt luftës ndaj dhunës. Drejt vënies së drejtësisë.
Familjes, kolegëve dhe nxënësve, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta!”, shkruan Haxhiu.