×
  • Lajme
  • Lajme

    Vrasja e djalit të dajës me thikë në zemër për një rrugicë në Lipjan, pushtetet gjyqësore në “luftë” për ta vërtetuar se si u krye krimi

    Reporteri
    30 Mars 2023 | 16:35
    Fotografi gjatë gjykimit të rastit / Arkivë

    Autor: Sabina Pergega


    Vrasjet për motive pronësore, e edhe ato për motive banale, kanë qenë jo fort të rralla gjatë viteve të fundit në Kosovë. Zgjidhja e problemeve me prona, madje edhe kur janë të përfshirë familjarë, në disa raste nuk janë lënë vetëm në duart e drejtësisë për zgjidhje, por shpeshherë po bëhen me vetëgjyqësi e që çon në krime të rënda.

    Një vrasje mes familjarëve për çështje pronësore kishte ndodhur në shtator të vitit 2019, në Lipjan. Dy vëllezërit Bali dhe Baki Reçica, dyshohen se kishin privuar nga jeta të ndjerin F.K., të cilin e kanë pasur djalë të dajës.

    Vrasja kishte ndodhur për shkak të hedhjes së mbeturinave në një pronë kontestuese, për të cilën për 10 vjet familjet e të akuzuarve dhe të ndjerit kishin pasur mosmarrëveshje mes vete, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Prona në fjalë ka qenë rrugicë afër shtëpisë së tani të ndjerit F.K., dhe mosmarrëveshja kishte nisur për shkak të tentimit të hedhjes së mbeturinave në këtë pronë nga ana e të akuzuarve.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga gazeta online Reporteri.net, kur i akuzuari Baki Reçica kishte tentuar të gjuajë mbeturinat në atë pronë, i ndjeri i kishte penguar, dhe si pasojë e kësaj dy të akuzuarit e kishin goditur me kaçavidë në trup, kur i ndjeri ka provuar të vetëmbrohet, i akuzuari Bali Reçica, dyshohet se e kishte goditur viktimën me thikë në zemër dhe i akuzuari tjetër dyshohet se e kishte goditur me shufër pas kokës. Si pasojë e këtyre lëndimeve, i ndjeri kishte ndërruar jetë në QKUK.

    Me 29 janar 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzën ndaj dy vëllezërve Reçica për veprën penale “vrasje e rëndë”, në bashkëkryerje, ndërsa të akuzuarin Bali Reçica e ngarkonte edhe për “armëmbajtje pa leje”, për shkak të thikës që i akuzuari e kishte përdorur në këtë rast.

    Për vrasjen e djalit të dajës, dy vëllezërit janë përballur edhe para gjykatës, por të njëjtit nuk e kishin pranuar fajësinë sipas aktakuzës së prokurorisë dhe të njëjtën e kishin kundërshtuar.

    Gjatë rrjedhjes së shqyrtimit gjyqësor, pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe administrimit të të gjitha provave, gjykata ka vlerësuar se në veprimet e dy të akuzuarve nuk ka elemente të veprës penale të vrasjes së rëndë.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, pas disa seancave të mbajtura me 22 mars 2022, për të akuzuarit Bali Reçica, fillimisht ka bërë ricilësimin e veprës penale nga “vrasja e rëndë” në veprën penale “vrasja”, duke e dënuar me 15 vite burgim, ndërsa e kishte liruar për armëmbajtje pa leje.

    Edhe për të akuzuarin Baki Reçica, gjykata e ka bërë ricilësimin e veprës penale nga “vrasje e rëndë”, në “pjesëmarrje në rrahje”, duke e dënuar me 3 vite burgim efektiv.

    Por, këto vepra penale të ndryshuara nga gjykata dhe dënime kaq të ulëta nuk i ka pranuar vet prokuroria e cila ka ngritur aktakuzën në këtë rast dhe as familja e të ndjerit të cilët përmes ankesës në Apel e kanë kundërshtuar vendimin e gjykatës. As të akuzuarit nuk janë pajtuar me dënimin e gjykatës dhe të njëjtit përmes avokatëve të tyre kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

    Ashtu sikurse gjykata e shkallës së parë që nuk ishte pajtuar me cilësimin juridik të veprës penale nga ana e prokurorisë, as Gjykata e Apelit kësaj radhe nuk ishte pajtuar as me cilësimin juridik dhe as me vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe në fund ka vendosur të ndryshojë këtë vendim në favor të të akuzuarit Baki Reçica.

    Apeli pas shqyrtimit të ankesave kishte gjetur shkelje nga gjykata e shkallës së parë si instancë më e ulët dhe ka vendosur që të ndryshojë këtë vendim, duke ia cilësuar të akuzuarit Baki Recica veprën penale nga “pjesëmarrje në rrahje”, ne atë “sulmi”, me të cilin e ka dënuar me 10 muaj burgim, pra shumë më pak siç ishte dënuar nga shkalla e parë me 3 vite për pjesëmarrje në rrahje. Pjesa tjetër e aktgjykimit që ka të bëj me të akuzuarin Bali Recica, kjo gjykatë e kishte vërtetuar.

    Vendimi i Gjykatës Supreme në lidhje me aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë: Nuk u vlerësua drejtë

    Mbrojtja e të akuzuarve nuk ishin pajtuar as me vendimin e Gjykatës së Apelit, ku si pasojë e kësaj kishin shfrytëzuar të drejtën për të parashtruar kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme të Kosovës.

    Avokati i Bali Recices, dhe avokati i Baki Recices, Skender Musa e Fanol Krasniqi kishin kërkuar nga Supremja që të refuzohen të dyja aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë.

    Por edhe Gjykata Supreme ka gjetur shkelje si në aktgjykimin e shkallës së parë ashtu edhe në aktgjykimin e shkallës së dytë. Edhe kjo gjykatë ashtu sikurse gjykata e Apelit ka vendosur në favor të të akuzuarit Baki Reçica, të cilin kësaj here kjo gjykatë jo që ia ka ulur dënimin, por ka gjetur se i njëjti nuk është fajtor dhe se duhet të lirohet nga akuza.

    Pjesë nga vendimi i Gjykatës Supreme

    Supreme, e ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së avokatit Fanol Krasniqi, duke vendosur që të akuzuarin për sulm, Baki Reçica, ta lirojë nga akuza.

    Gjykata Supreme e Kosovës e ka aprovuar edhe kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit Bali Reçica, avokati Skender Musa duke anuluar aktgjykimin e dy gjykatave, asaj Themelore dhe të Apelit, vetëm sa i përket veprës penale të vrasjes, dhe ka vendosur që rastin ta kthejë në rigjykim.

    Gjykata Supreme e Kosovës në vendimin e saj ka gjetur shkelje të procedurës penale lidhur me ndryshimin e veprave penale nga shkalla e parë e cila nga vrasje e rëndë, i ka ri cilësuar në vrasje dhe në pjesëmarrje në rrahje.

    Supremja, në janar të këtij viti, në aktgjykimin e saj ka konstatuar se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është kundërthënës me vetveten dhe me arsyetimin, dhe se ka kundërthënie në mes të veprimeve të të akuzuarve dhe cilësimit juridik të veprës penale.

    “Nuk mund të theksohet se i ndjeri i ka sulmuar dhe goditur të dënuarit dhe të konkludohet se bëhet fjalë për veprën penale të vrasjes së rëndomtë, pra, ky cilësim vjen në shprehje kur nuk ekziston përshkrimi i ngjarjes se i ndjeri i ka sulmuar, keqtrajtuar, fyer etj. Kur kemi të bëjmë me veprën penale të vrasjes, sulmi ekziston si te vrasja e kryer në rrethana të mbrojtjes së nevojshme, ashtu edhe tek vepra penale vrasje e privilegjuar – “vrasja në gjendje të afektit mendor“, ka konstatuar Supremja në aktgjykimin e saj të siguruar nga gazeta online Reporteri.net.

    Supremja nuk është pajtuar as me konstatimin e gjykatës kur konstaton se goditjet nga tani i ndjeri Fadil në drejtim të dëmtuarve, i kanë paraprirë veprimeve të të akuzuarit Bali, i cili e ka goditur me thikë të njëjtin.

    Gjykata Supreme ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka vepruar drejtë, nuk i ka vlerësuar mirë provat, në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.

    Sipas Supremes, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, dhe këto shkelje sipas kësaj gjykate, nuk janë evituar as nga Gjykata e Apelit.

    Pjesë nga vendimi i Gjykatës Supreme

    Mospajtime për rastin patën mes veti edhe anëtarët e kolegjit të Supremes

    Zbardhja e rastit për vrasjen e dajës nga ana e dy nipërve të tij, si të dyshuar, ka shkaktuar “kaos profesional”, që nga ngritja e aktakuzës nga ana e prokurorisë, e deri të vendimi i Gjykatës Supreme.

    Pasi Supremja ka gjetur shkelje në të dyja aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, dhe përkundër që nuk është pajtuar me të dyja gjykatat, edhe Gjykata Supreme në mes anëtarëve të kolegjit ka hasur në mospajtime.

    Anëtari i kolegjit, përkatësisht gjyqtari raportues Afrim Shala, nuk është pajtuar me mendimin e shumicës së anëtarëve të kolegjit të Gjykatës Supreme të Kosovës, që të anulohen aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë dhe aktgjykimi i gjykatës së shkallës së dytë, ndërsa kjo çështje penale të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë, sa i përket veprës penale për të cilën i dënuari Bali Reçica është shpallur fajtor.

    Ky gjyqtar, sipas arsyetimit në aktgjykimin e Gjykatës Supreme që e ka siguruar gazeta online Reporteri.net, është pajtuar me anëtarët e tjerë të kolegjit, se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë përmban disa kundërthënie dhe paqartësi në lidhje me disa çështje të caktuara, mirëpo vlerëson se këto të meta do të mund të sqarohen, pa u kthyer rasti në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.

    Sipas tij, disa pretendime të paraqitura nga ana e mbrojtësit të të dënuarit Bali Reçica në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë janë të pabazuara, ndërsa disa pretendime tjera nuk janë të asaj natyre që do ta justifikonin anulimin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë dhe aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë.

    Ky gjyqtar ka dhënë mendim që gjykata e shkallës së parë ka paraqitur arsye të mjaftueshme në lidhje me të gjitha faktet vendimtare që i referohen veprës penale dhe përgjegjësisë penale të të dënuarit Bali Reçica, dhe sipas tij, në këtë rast çështje penale do të mund të merrte një epilog pa u kthyer rasti në rigjykim.

    “Në fund, gjyqtari raportues konsideron se si aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, ashtu edhe aktgjykimi i gjykatës së shkallës së dytë duhet vlerësuar në tërësinë e tyre, ndërsa pas një vlerësimi të tillë të tërësishëm do të mund të nxirren mandej konkluzione të caktuara. Kjo edhe për faktin se jo çdo shkelje do të mund të ishte arsye për anulimin e aktgjykimit dhe kthimin e rastit në rigjykim, siç është situata me rastin konkret”, thuhet në mendimin e gjykatësit, i cili mendim i është bashkangjitur aktgjykimit të Supremes. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!