×
  • Lajme
  • Lajme

    Vrasja e Ivanoviqit, s’ka aktakuzë për Milan Radojiçiqin deri në arrestimin e tij

    Reporteri
    21 Nëntor 2019 | 12:58

    16 janari i 2018-tës do të shënonte nisjen e një sfide shumë të madhe për drejtësinë kosovare. Po këtë ditë, para zyreve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut, do të vritej Oliver Ivanoviq, kryetar i subjektit “Liri, Demokraci, Drejtësi”.


    Gati dy vite pas ngjarjes, për drejtësinë kosovare, rrjedha e asaj që ndodhi është ende e turbullt.

    Ndaj të dyshuarve nuk ka ende aktakuzë, teksa nga janari i vitit që lamë pas, si të ndërlidhur me rastin në pranga kanë përfunduar shtatë persona.

    Por jo të gjithë të përfshirët në këtë rast do të përballen me akuzë direkte nga Prokuroria.

    Nga ajo që deri tani dihet, Marko Roshiq dhe Nedelko Spasojeviq janë dy të dyshuarit ndaj të cilëve pritet që fillimisht të ngritët aktakuzë.

    Përveç konfirmimit se ditëve në vijim kjo çështje do të marrë epilog, prokurori i rastit Sylë Hoxha ka refuzuar të përgjigjet në atë se ndaj sa personave do të ketë aktakuzë.

    “Jemi duke punuar në atë drejtim, kur ta ngris aktakuzën do ta bëj publike pra do ta bëj publike”, ka thënë shkurt prokurori Sylë Hoxha për lajmi.net.

    E Prokuroria Speciale nuk do të mund të ngris aktakuzë as ndaj të dyshuarit kryesor të këtij rasti, Milan Radojiçiq, që në opinion njihet si “bosi” i krimit në veri.

    Avokati i njohur i lëmisë penale, Asdren Hoxha sqaron se ndaj Radojiçiq nuk mund të ketë aktakuzë, për shkak se i njëjti nuk është dëgjuar asnjëherë, pra nuk është njoftuar me akuzën e organit hetues.

    Sipas Hoxhajt, hetimi mund të pezullohet deri në momentin kur të arrestohet personi për të cilin është lëshuar urdhër-arrest.

    “Aktakuza nuk mendoj që mund të ngritët, për shkak se nuk është dëgjuar asnjëherë personi në fjalë, pra nuk është njoftuar me akuzën. Mund të dorëzohet kallëzimi penal, pastaj mund të nxjerrët aktvendim për fillim të hetimeve, por hetimi pezullohet gjersa të arrestohet personi për të cilin është urdhëruar arresti. Pastaj pas arrestimit, rifillohet hetimi dhe mund të ngritët aktakuza”, thotë avokati Hoxha.

    Ai thotë se në këto rrethana, përderisa vlen ende Kodi i Procedurës Penale që është në fuqi, kemi të bëjmë me një situatë të tillë që nuk mundësohet gjykimi në mungesë.

    “Në këto rrethana, përderisa vlen ende Kodi i Procedurës Penale që është në fuqi situata është kështu. Pritet që të futet në fuqi Kodi i Ri i Procedurës Penale që do të përcakton edhe mundësinë e gjykimit në mungesë. Megjithatë, se si do të rregullohet me kod të ri të Procedurës Penale, mbetet të shihet se a do të ndryshojnë dispozitat edhe në hetim edhe në gjykim”, thotë Hoxhaj.

    Në fund, Hoxha rithekson se në një situatë aktuale, në zbatim të dispozitave aktuale të Kodit të Procedurës Penale, ndaj Radojiçiqit mund të ketë vetëm pezullim të hetimeve deri në arrestim, por kurrsesi aktakuzë apo gjykim nga arratia.

    Prokuroria Speciale e Kosovës para disa kohësh kishte lëshuar fletë-arrest ndërkombëtar për kapjen e Milan Radojiçiqit.

    Ky i fundit nga vetë prokurori Sylë Hoxha, pas disa aksioneve në veri të vendit, do të përshkruhej si një njeri me ndikim të madh në Policinë e Kosovës si dhe në struktura të tjera shtetërore.

    I gjendur në arrati, Radojiçiq nuk e ka pasur fort problem që të paraqitet në vende publike, ku ka përqendrim të mediave e njerëzve në Serbi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!