×
  • Lajme
  • Lajme

    Vrasja e shtatzënës edhe një dështim i Drejtësisë: Rasti ishte raportuar për dhunë në familje në muajin korrik

    Reporteri
    30 Nëntor 2022 | 21:33

    Një grua shtatzënë e moshës 35-vjeçare është vrarë sot në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku kishte shkuar për të kryer lindjen e fëmijës së saj të parë. I dyshuar për vrasjen është ish-bashkëshorti i saj, i cili ishte denoncuar edhe për dhunë në familje më herët, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Nazlie Bala nga Ministria e Drejtësisë e ka konfirmuar se viktima e kishte raportuar bashkëshortin në Polici për dhunë në familje, në muajin korrik të këtij viti. Sipas saj, ajo ka qenë para procesit të divorcit.

    Balaj ka thënë se edhe në këtë rast, organet e drejtësisë kanë dështuar ta mbrojnë viktimën dhe se s’ka pasur as urdhër mbrojtës.

    “Rasti në fjalë është raportuar në Korrik të vitit 2022 dhe sot e ndjera është dashur ta ketë mbrojtjen e institucioneve, por për fat të keq sot edhe sot e kemi edhe një rast me fatalitet, si neglizhencë apo mosveprim institucional. Sipas të dhënave që i kemi si MD, kjo ka qenë para procesit të ndarjes si pasojë e dhunës në familje…Kur flas për moskryerje të përgjegjësive, gjithmonë e kam fjalën nëse rasti është raportu në Polici dhe nga Policia është përcjellë te Prokuroria, atëherë përgjegjësia duhet të kërkohet në sistemin prokurorial apo sistemin gjyqësor. Sipas informacioneve, rasti s’ka pas as urdhër mbrojtës të lëshuar”, ka deklaruar Bala në ATV.

    Më herët, edhe motra e viktimës deklaroi se ata kanë pasur probleme edhe më herët, dhe se i dyshuari për vrasje gjithmonë ka mbajtur armë e thikë në shtëpi.

    Sipas saj, viktima është ndarë me të me ndihmën e Policisë.

    Rastin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

    Sipas Ahmetit, viktima është 35-vjeçare.

    “Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!