“Vrasja është kryer në gjendje të tronditjes”, polici i dënuar për vrasjen e të riut në kazino kërkon anulimin e dënimit me burgim të përjetshëm

Mbrojtja e ish-rreshterit të Policisë së Kosovës, Shefki Spahiu i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë dhe manipulim me prova, ka kërkuar nga Gjykata Supreme që t’i anuloj vendimet e shkallës së parë dhe të dytë.


Sipas mbrojtjes, Spahiu duhet të dënohet për vrasje të kryer ne gjendje të tronditjes se fortë mendore dhe jo ashtu siç është dënuar për vrasje të rëndë.

Një kërkesë e tillë nga ana e mbrojtjes është bërë këtë të enjte në seancën e kolegjit të Gjykatës Supreme, të kryesuar nga kryetari i kolegjit, gjyqtari Enver Peci.

“Mbrojtja i ka propozuar Gjykatës Supreme, që i akuzuari të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet dënim me burgim në pajtim me nenin 180 të Kodit Penal, e ajo është që vrasja është kryer gjendje të tronditjes së fortë mendore, në afekt mendor”, thuhet në ankesën e mbrojtjes që u referua nga gjykatësja raportuese Valdete Daka.

Mbrojtja po pretendon se gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë, kanë bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje të ligjit penal dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Po ashtu, mbrojtja në ankesën e ushtruar e ka atakuar edhe vendimin mbi dënim duke theksuar se shkalla e parë dhe Apeli e kishin paragjykuar këtë çështje.

Sipas mbrojtjes, gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk ishte aprovuar propozimi i mbrojtjes që të dëgjohen dëshmitarët që kishin qenë së bashku me të akuzuarin në ditën kritike, si dhe nuk ishte lejuar të bëhej ekzaminimi psikiatrik për të akuzuarin.

Lidhur me refuzimin që të akuzuarit t’i bëhej ekzaminim psikiatrik, mbrojtja ka konsideruar se i akuzuari kishte pësuar lëndime në kokë, të cilat sipas mbrojtjes, kishin lënë pasoja mendore tek i akuzuari.

“Unë mendoj se nuk duhet gjykata apriori t’i paragjykoj provat, nuk mundet gjykata të vlerësoj se meqenëse ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe është gradu në vitin 2014, nuk paska pas probleme psiqike. Ne kemi argumentu se në vitin 2016 ka pas një të rrzume në kokë dhe ka pas humbje të vetëdijes dhe a ka mujt me ndiku në psiqikën e tij apo jo ajo e rrzumja, le ta vlerësoj eksperti, na se kemi këtë provë. Kemi propozuar dhe nuk na është aprovuar.”, avokati Kastrati

Ai tha se mbrojtjes nuk i është aprovuar as propozimi që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet mjeku Imer Foniku.

“Kam propozu që të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit doktor Imer Foniku, i cili më herët dy herë e ka kontrollu para rastit në aspektin psiktiatrit dhe gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim e ka pasur në mbikëqyrje, për me na dëshmu a ka nevojë ky person të shkoj në ekzaminim psikiatrik apo jo, nuk na është aprovua as kjo”, tha avokati në fjalën e tij.

Sa i përket shkeljes së ligjit penal, mbrojta ka konsideruar se është shkelur ligji penal sepse i akuzuari është shpallur fajtor duke u bazuar vetëm në provat e administruara dhe të propozuara nga prokurori i shtetit.

Gjithashtu sipas mbrojtjes, gjykata ka dështuar apo gabimisht ka vërtetuar se i akuzuari për motive pasurore kishte kryer veprën penale, e që sipas mbrojtjes, një gjë e tillë asnjëherë nuk është vërtetuar që i akuzuari ka marrë para nga tani i ndjeri apo nga dhoma ku ato kanë qenë të vendosura.

“Çështja e 1,200 eurove nuk duhet të mbetet barrë e të mbrojturit tim, se ky i paska marrë ato para dhe e paska bo vrasjen për ato qëllime sepse po të kishte deshtë për ta bo vrasjen për ato qëllime e ka ditë se në atë qarkore ku luhet dhe në aparata ka para, por nuk ka ndërhy në to, është çështje e menaxhmentit dhe punëtorëve se si i kanë arsyetuar atë mungesë, nuk qëndron ajo që ka pas mungesë të parave”, tha tutje avokati.

Ndërsa sa i përket vendimit mbi dënim, mbrojtja ka konsideruar se gjykata e shkallës së parë është bazuar vetëm në rrethana rënduese dhe atë se i akuzuari ka kryer veprën penale për motive pasurore dhe vetëkënaqësinë e të akuzuarit e që sipas mbrojtjes, gjykata gabimisht e pa të drejtë ka vlerësuar si rrethanë rënduese këto rrethana të cilat nuk janë vërtetuar.

“Unë nuk them se nuk ka rrethana rënduese, por nuk janë rrethanat rënduese të atilla që të shqiptohet një dënim i burgimit të përjetshëm. Vet fakti që e ka pranuar fajësinë për manipulim me prova, tregon në një pjesë të madhe se i akuzuari ka deshtë të bashkëpunoj me drejtësinë. Gjykata e shkallës së parë dhe aprovimi i shkallës së dytë se ka pasur vetëkënaqësi në kryerjen e këtyre veprave, mendoj se është lëshuar pa të drejtë në çështjen emocionale të një personi. Si e vërtetojë gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e shkallës së dytë, të aprovojë vetëkënaqësinë e të mbrojturit tim? Në çfarë mënyre e çfarë baze u bo?.”, shtoi avokati.

Në fund ai propozoi nga gjykata që çështjen ta kthej në rigjykim dhe i akuzuari të shpallet fajtor për veprën penale nga neni 180 të KPRK-së,

“Kam propozuar që të anulohen të dyja aktgjykimet, në rigjykim, mbi bazat ligjore. Kam thënë që të shpallet fajtor në pajtim me nenin 180, po e përsëris se kur kom thënë kështu, kom thënë në kontest të asaj mungese edhe unë të provave, por e vetmja zgjidhje ka qenë për neve, deri sa nuk na është dhënë mundësia ta vazhdojmë këtë fakt, të bazohemi edhe në këtë çështje”, tha ai.

Fjalët e mbrojtësit të tij i ka mbështetur edhe i akuzuari Spahiu, i cili ka shprehur keqardhje dhe ka kërkuar falje për atë që ka ndodhur.

“Qëndroj mbrapa fjalëve të avokatit i kom deklaruar të gjitha, shpreh keqardhje më vjen shumë keq, rasti nuk ka ndodh me ndonjë planifikim, ka ndodh për shkak të gjendjes së rëndë, u kërkoj falje familjarëve gjykatës dhe të gjithë popullit”, tha i akuzuari Spahiu.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Arben Ramadani, Gjykatës Supreme i ka propozuar që aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë t’i vërtetojë si të bazuara.

“Gjykata e shkallës së parë dhe të dytë i ka peshu në maksimum si rrethana posaçërisht dhe posaçërisht rënduese, dhe ka ardhur deri te një vendim sikur që e kemi rastin e gjykum, dhe përfundimisht e dëgjova edhe avokatin se vetëm tani po kërkon falje ose në seancën përfundimtare të gjykimit. Po konsideroj se kjo është shumë e vonshme dhe të familja e të dëmtuarit hala qëndron raporti i acarun dhe pa kërkim falje nga ana e të akuzuarit dhe familjes së tij”, tha avokati Ramadani.

Sipas avokatit Ramadani tek i akuzuari qëndrojnë dy elemente të veprës penale të vrasjes së rëndë, elementi i përftimit pasuror dhe ai i vrasjes në mënyrë mizore apo dinake.

“Nga këto rrethana shihet se vërtetë qëndron elementi i përftimit pasuror dhe vërtet qëndron edhe elementi i vrasjes në mënyrë mizore, dinake duke e parë në CD-jat për faktin se viktima ka shërbyer me ujë, me kafe, i njëjti nuk merr asnjë veprim dhe aty keqpërdoret mirëbesimi, pabesia, dhe rrethanat ku vjen deri tek vrasja nga ana e policit me gradë rreshter, vendi ku bëhet vrasja është kazino ku konsiderohet se nuk është vend ku duhet të gjendet një polic rreshter dhe arma është shtetërore, armë e policit dhe nga kjo për të gjithë opinionin dhe familjen konsiderohet se policia nuk bën mbrojtje por mund të bëj vrasje”, tha Ramadani.

Ndërsa babi i të ndjerit J.A, ka shprehur mllefin e tij ndaj të akuzuarit, Spahiu.

“40 vjet i kom qu dy gishta për me ardh këta në pushtet, po nuk i kom qu dy gishta për me ma vra djalin, spo e ceki. Ma ka tha gojën e fmive. As Arkanit nuk ja kanë bo këto shka na kanë bo neve. More ti djalë ma ke vra djalin, ishalla zoti edhe kërkujna nuk ja bon. Ja ke tha gojën e fmive, qysh spo ju vjen marre, a keni gjynah”, tha ai.

Paraprakisht, gjykatësja Valdete Daka tha se Prokurori i Shtetit ka kërkuar që të refuzuar ankesa e mbrojtjes.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren më 24 shtator 2020 Shefki Spahiun e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Ndërsa më 2 prill 2021, Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së Spahiut dhe kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur më 31 maj 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren me arsyetimin se zyrtari policor Shefki Spahiu, më 17 mars 2019, në Suharekë, në një kazino e cila gjendet në rrugën e Reshtanit, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore, me dashje dhe në mënyrë dinake privon nga jeta punëtorin e kazinosë, Jetmir Aliaj.

Sipas aktit akuzues, Spahiu pasi qëndroi në kazino, papritur, duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock”, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa sipas pikës së dytë të aktakuzës, Spahiu akuzohet se pas kryerjes së vrasjes, kishte hyrë në dhomën ku kanë qenë të vendosura pajisjet e kamerave të kazinosë dhe kishte shkatërruar, dëmtuar dhe fshehur provat, me qëllim të pa mundësimit të shfrytëzimit të dëshmive në procedurë zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se polici kishte marrë dy shtëpiza të kompjuterit, duke i larguar dhe demoluar kabllot, dy UPS dhe të gjitha këto i kishte vendosur në bagazhin e automjetit të cilën e kishte parkuar prapa kazinosë, ku pas largimit këto dëshmi i kishte hedhur në lumin Taplluha, në dalje të fshatit Neprebisht të Komunës së Suharekës.