×
  • Lajme
  • Lajme

    Vrasja në Pakashticë, policia po ruan shtëpinë e të dyshuarit

    Reporteri
    13 Janar 2022 | 16:37

    Dalja në gjueti e dy baxhanakëve nga Podujeva përfundoi në mënyrë tragjike. Në bjeshkën e fshatit Pakashticë të Podujevës u privua nga jeta me armë zjarri 30-vjeçari Mentor Kajtazi. Vrasja e viktimës dyshohet se ndodhi nga pakujdesia nga baxhanaku i tij, Florim Bunjaku 34-vjeç. Vëllai i viktimës tha shkurt se vrasja ka ndodhur në mënyrë aksidentale.

    Familja e 30-vjeçarit të vrarë kishte hapur të pamën sot në fshatin Dumnicë të Podujevës, ceremonia e varrimit ishte caktuar për në orën 15:00, por familjarët nuk pranuan të flasin gjatë për rastin.

    Njëri vëlla i viktimës tha se vrasja ka ndodhur në mënyrë aksidentale dhe se i dyshuari me të ndjerin kanë qenë baxhanakë mes vete.

    Policia po qëndron te shtëpia e të dyshuarit në Pakashticë

    “Po janë baxhanakë mes vete, ata nuk kanë dalë shpesh për gjueti”, tha ai shkurt për Express.

    I njëjti shtoi se viktima ka lënë pas vetes gruan dhe fëmijët.

    Ndërkohë situatë më ndryshe ishte te shtëpia e të dyshuarit në Pakashticë të Podujevës. Një patrullë e policisë po e ruante shtëpinë e tij për çështje sigurie.

    Fqinjët thanë se nuk ishin në dijeni se si ka ndodhur rasti, pasi mali ku baxhanakët kishin dalë për gjueti ishte disa kilometra larg nga shtëpia e tij.

    Si pasojë e terrenit të papërshtatshëm për shkak të kushteve atmosferike, forcat e FSK-së kishin asistuar policinë për tërheqjen e trupit të pajetë.

    E gjithë ngjarja dyshohet se ka ndodhur nga pakujdesia, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar për Express se ndaj të dyshuarit kanë kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në drejtim të veprave penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja ne pronesi, kontroll ose posedim te paautorizuar te armeve”.

    “Prokurorja e rastit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit të ndaluar, për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armevë”, në gjykatën kompetente”, tha zëdhënsja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!