×
  • Lajme
  • Lajme

    Vrasja në Pejë e dy zyrtarëve të lartë të PDK-së, krejt çka dihet deri më tash

    Reporteri
    08 Shtator 2021 | 22:03

    Në orët e mbrëmjes ka ndodhur një vrasje e dyfishtë në qytetin e Pejës. Të vrarë kanë mbetur kandidati për kryetar të Pejës nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj, dhe ish-kandidati për kryetar të Deçanit nga PDK, Blerand Kadrijaj.


    Gjithashtu në këtë ngjarje të rëndë i plagosur ka mbetur edhe vëllai i Astrit Ademajt, A. Ademaj.

    Lajmi është bërë i ditur për Gazetën Online “Reporteri.net” nga një burim brenda PDK-së në qytetin e Pejës, por ende nuk dihen arsyet e kësaj tragjedie.

    Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin Pejës, Driton Rugova, derisa ka konfirmuar se dy nga të plagosurit nuk kanë arritur t’i mbijetojnë plagëve.

    “Ngjarja ka ndodhur në afërsi të shkollës ekonomike “Ali Hadri” në Pejë. Janë dërguar në spital të Pejës, por që dy prej tyre nuk kanë arritur t’i mbijetojnë plagëve. Forenzika është në vendin e ngjarjes për të kuptuar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja”, tha zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës.

    Edhe Prokuroria e Pejës ka konfirmuar rastin për Gazetën Online “Reporteri.net“.

    “Si pasojë e një incidenti të armatosur kanë humbur jetën dy persona dhe një tjetër është plagosur”, tha Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë së Pejës.

    Tutje, Nikçi shtoi se prokurori kujdestar i departamentit të krimeve të rënda ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po merret me rastin.

    Mjeku kujdestar në spitalin e Pejës, Sadri Berisha tha se viktimat kanë ardhur pa shenja jete, derisa ata i ka sjellë personi i tretë i cili ishte i plagosur në dorën e majtë.

    “Rreth orës 20;30 pa shenja jete janë sjell ne spital, dhe një i tretë i plagosur që ju ka ndihmuar me i sjell deri këtu. Plagët kanë qenë me armë zjarri, derisa personi i tretë ka qenë i plagosur në dorën e majtë, dhe me pas ka procedu tutje dhe është intervistuar nga prokurori. Për momentin është duke u trajtuar në spitalin e Pejës dhe është jashtë rrezikut për jetë”, tha Sadri Berisha./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!