×
  • Lajme
  • Lajme / Krimet e luftës

    Vrasje të civilëve, dhunime e trajtime çnjerëzore – aktakuza ndaj dy serbëve të akuzuar për krime lufte në Istog

    Reporteri
    07 Shtator 2024 | 17:01

    Vrasje, tortura, trajtime çnjerëzore, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbime masive dhe spastrim etnik. Këto janë disa nga akuzat me të cilat ngarkohen ish-komandanti stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PRSK), dy serbët ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

    Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi” më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-së ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

    Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.

    Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar të gjinisë mashkullore me pseudonimin “A1” të cilin e dhunuan seksualisht.

    “Fillimisht ishte marrë në pyetje nga disa zyrtar të këtij stacioni me rroba civile dhe gjatë qëndrimit disa ditorë në burg, ishte marr nga disa pjesëtarë të policisë dhe ishte dërguar në një vend të posaçëm të objektit të burgut, ku ishte dhunuar seksualisht”, thuhet në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Përveç viktimës me pseudonimin “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër me pseudonimin “B1”.

    “Viktima me pseudonimin “B1” ishte ftuar nga policia që të paraqitej në Stacionin Policor në Istog për tu marr në pyetje, kur kishte arritur ajo fillimisht ishte marr në pyetje, pastaj ishte rrahuar fizikisht e më pastaj ishte dhunuar seksualisht nga një polic i këtij stacioni, në prezencën e pesë policëve të tjerë”, thuhet në aktakuzë.

    Sipas aktakuzës, nën udhëheqjen e tani të akuzuarve Momir Pantiqit, dhe Zharko Zariq në cilësinë e policit dhe forcave policore tjera ushtarake serbe gjatë viteve 1998-1999, u dëbuan me dhunë popullsia shqiptare nga Komuna e Istogut. Ndërsa, pas largimit te popullsisë fillimisht kanë plaçkitur në tërësi pasurinë e civilëve dhe më pas rezultoi se 260 persona u vranë, prej tyre 19 fëmijë dhe rreth 5 mijë shtëpi u dogjën.

    Dy të pandehurit, po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në Komunën e Istogut.

    Në aktakuzë thuhet se në mars të vitit 1998, në fshatin Lubozhdë, forcat policore serbe, ku bënte pjesë edhe Zharko Zariq, nën udhëheqjen e Momir Pantiqit e sulmuan lagjen Pepaj, ku nga shtëpitë e tyre i nxjerrin të gjithë burrat duke i rrahur dhe pastaj i ndajnë të moshuarit nga të rinjtë.

    “Të moshuarit i lirojnë ndërsa të dëmtuarit Xhevdet Pepaj, Ilaz Pepaj, Islam Pepaj, Shkumbin Pepaj, Jeton Pepaj, Arben Pepaj, Rexhë Pepaj, Nexhemdin Pepaj dhe Shukri Pepaj të cilët ishin të moshës së re, i kanë vendos nëpër votuarat e tyre zyrtare dhe i kanë dërguar në Stacionin Policor në Istog ku i kanë rrahur dhe torturuar në mënyrat me çnjerëzore”, thuhet në aktakuzë.

    Në familjen Pepaj, forcat policore serbe bashkë me të pandehurin Zariq dhe nën udhëheqjen e Pantiqit, sipas aktakuzës shkojnë tek shtëpia e Isa Pepaj, të cilit i thonë t’i lajmërojë banorët për lëshimin e shtëpive. Aty thuhet se pasi banorët u detyruan të largohen, duke shkuar në drejtim të fshatit Studenicë, i pandehuri Zariq së bashkë me disa policë të tjerë kishte shkuar duke vrarë dhe prerë në fyt G.P e më pastaj duke i vënë flakën secilës shtëpi.

    Sipas aktakuzë nga ky aksion i forcave serbe kishin mbetur të vrarë: A.P, G.P, A.P, B.D., dhe një grua e moshuar e familjes Qetin.

    Ndërkaq, më 29 gusht 1998 në fshatin Shushicë të Istogut, Pantiq si kryeshef i Stacionit Policor dhe Zariq në cilësinë e policit, sulmuan anëtarët e familjes Salihaj në shtëpitë e tyre, ku sipas aktakuzës fillimisht hapën zjarr në drejtim të shtëpisë së I.S, nga ku mbetën të vrarë nëntë anëtarë të familjes Salihaj.

    “Në mbrëmje policia u dha urdhër që trupat e viktimave të varrosen gjë që ndodhi me datë 30.08.1998 kur trupat e viktimave: I.S., Sh.S, A.S, H.S, H.S, M.S, A.S, N.G. (nip i familjes Salihaj), u varrosen në varrezat e fshatit, ndërsa për fatin e F.S. nuk u kuptua deri kur trupi i saj i pa jetë është gjetur në fshatin Padalishtë”, thuhet në aktakuzë.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se në muajin mars të vitit 1999, nën zbatimin e urdhrave të Pantiqit, banorët e fshatit Vreniq detyruan që t’i lëshojnë shtëpitë e tyre e të nisen për Shqipëri. Mirëpo, shumica prej tyre u strehuan në bjeshkët e Starasellës mbi fshatin Shushicë, ku disa ditë pas qëndrimit në mal filluan sulmet.

    “Me datë 05.04.1999 forcat policor serbe filluan granatimet nga dy anët e lugut të Starasellës, çka i detyroi civilët të lëvizin në drejtim të Istogut përmes Gurakocit, të cilët gjatë tërë rrugës ata kishin parë se si po digjej i tërë fshati Shushicë, ndërsa sa herë që kishin hasur në forca të armatosura serbe, ata ishin maltretuar u rrahur brutalisht nga ana e këtyre forcave, si dhe iu morën të holla dhe gjërat me vlerë”, thuhet tutje në aktakuzë.

    Ndërsa, afër fshatit Landovicë sipas aktakuzës, civilët u detyruan të ktheheshin mbrapa në Istog, por pasi që shtëpitë e tyre ishin djegur dhe nuk kishin ku të shkonin mbi 700 persona u vendosën në shkollën fillore “Martin Camaj” në fshatin Kovragë, ku qëndruan për rreth 10 ditë. E më 6 prill 1999, një veturë në lëvizje kishte shtënë mbi civilë shqiptarë që ishin në oborr të kësaj shkolle, mbeti i vrarë B.B. 13-vjeçar.

    “Civilët shqiptar u vizituan nga Momir Pantiq, i cili i ka pyetur nëse ka ushtar të UÇK-së në shkollë, ndërsa pas disa ditësh policët nga stacioni policor i Gurrakocit, i kanë urdhëruar të gjithë civilët e strehuar në atë shkollë që të largoheshin dhe të vazhdojnë rrugën për në Shqipëri”, thuhet në aktakuzë.

    Tutje, bazuar në aktakuzë, në fshatin Padalisht të Komunës së Istogut, forcat policore ushtarake serbe, që kryeshef kishin Pantiqin më 26 mars të vitit 1999, filluan të granatonin nga distanca këtë fshat dhe pastaj hynë në fshat ku kontrolluan shtëpi për shtëpi, duke i larguar civilët shqiptarë. Si rezultat i këtij sulmi, mbetën të vrarë rreth 19 anëtar të familjes Imeri.

    Në aktakuzë thuhet se edhe familja Rexhaj nga fshati Cerrcë në Istog, më 1 prill të vitit 1999 u sulmua dhunshëm nga forcat policore serbe, nën udhëheqjen e të pandehurit Pantiq, ku thuhet se operacioni filloi me rrethimin e shtëpisë së I.R., për të vazhduar me një aksion të pamëshirshëm.

    “Duke vrarë gjashtë anëtarë të pafajshëm të familjes Rexhaj e të cilët viktima janë: K.R, Z.R, I.R, Sh.R, si dhe R.R, i cili vuante nga probleme të rënda psikike, ndërsa pas vrasjes së këtyre anëtarëve të familjes, nuk u ndalën vetëm me këto krime, por i vunë zjarrin shtëpisë, duke lënë trupat e pa jetë të viktimave që të digjen brenda saj, vetëm e vetëm për t’i fsheh krimet e tyre”, thuhet në aktakuzë.

    Ndërsa, më 13 prill të vitit 1999, siç thuhet në aktakuzë, në fshatin Studenicë, forcat policor serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e të pandehurit Pantiq e sulmuan familjen Lipaj, ku prej drejtimit të fshatit Lubozhdë deri te burimi i fshatit Vrellë, kanë shkuar nëpër shtëpi, duke i kontrolluar e djegur si dhe kanë lënë të vrarë gjithsej 14 civilë shqiptarë, trupat e të cilëve u gjetën në bunarin e oborrit të shtëpisë së S.Z.

    “Kanë lënë të vrarë gjithsej 14 civil të nacionalitetit shqiptar në shtëpinë e tani të ndjerit-viktimës S.Z, 9 prej të cilëve u identifikuan si: F.L, 66-vjeçare, S.L, 35-vjeçare, L.L,13 vjeçare, S.L, 64-vjeçare, Q.L,15-vjeçare, M.L,13-vjeçare, H.M, 69-vjeçare, N.L,14-vjeçare si dhe zoti i shtëpisë S.Z, 85-vjeçare”, thuhet në aktakuzë.

    Më tej, në aktakuzë thuhet se nën udhëheqjen të akuzuarit Pantiq, forcat e Stacionit Policor të Istogut, më 8 maj 1999, në fshatin Staradranë, vranë 15 civilë shqiptarë, ndërsa dy mbetën të zhdukur.

    “Në oborrin e të dëmtuarit Z.E. rreth gjashtëmbëdhjetë civile të nacionalitet shqiptarë, të cilët nuk ishin pjesëmarrës në konflikt të armatosur e të cilët janë identifikuar si viktima: D.G, H.E, N.E, M.E, M.E, Sh.E, N.E, A.E, I.A, M.D, B.D, R.Sh, G.I, B.M dhe J.A, kurse personi i 16 Naim Elshani i mbijeton sulmit”, thuhet në aktakuzë, duke sqaruar se trupat e pajetë të të vrarëve ishin varrosur në një varrezë masive, të gjithë së bashku, nga pjesëtarët e komunitetit romë të cilët ishin urdhëruar nga forcat policore dhe ushtarake serbe.

    Ndryshe, të akuzuarit Momir Pantiq e Zharko Zariq, aktualisht gjenden nën masën e paraburgimit.

    I akuzuari Momir Pantiq ishte arrestuar më 4 gusht të vitit 2023 në pikën kufitare në Merdarë, ndërsa Zharko Zariq një ditë më vonë në fshatin Lubozhdë të Komunës së Istogut.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!