×
  • Lajme
  • Lajme

    Vrasjet makabre që tronditën Kosovën gjatë këtij viti

    Reporteri
    05 Dhjetor 2021 | 0:57

    Derisa ende nuk dihen motivet as autori i vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit, Kosova gjatë këtij viti është tronditur edhe nga krime të tjera të rënda.

    Kanë kaluar 10 ditë nga ngjarja tragjike në Gllogjan kur një person vrau tre persona, dy prej tyre nxënës, duke shtënë me armë zjarri në autobusin po transportonte nxënësit në shtëpi.

    Deri më tani nuk ka të arrestuar dhe as ndonjë dyshim pse ka ndodhur vrasja.

    Shoqëria civile dhe opozita kanë drejtuar kritika ndaj institucioneve të sigurisë për mos zbardhjen e rastit, derisa sipas tyre është dashur të kërkohet edhe ndihmë nga shërbimet e shteteve mike.

    Gjatë ditës avokati avokati Arianit Koci ka shkruar se zbulimi i krimit të kryer në Gllogjan të Deçanit një javë më parë duhet të jetë prioritet shtetëror.

    “Ky krim duhet patjetër të zbulohet. Sa më shpejtë. Kriminelëve duhet t’u dërgohet porosi, se askush nuk mund të kryej krime të tilla në Kosovë, pa u zbuluar dhe dënuar ashpër. Përndryshe, nuk ka asgjë të keqe nëse shteti kërkon ndihmë nga personat privatë, me përvojë në hetime, apo edhe nga struktura hetuese të shteteve tjera. Zbulimi i këtij krimi, duhet të jetë prioritet shtetëror”, ka shkruar tutje ai.

    Vrasja në Gllogjan nuk ishte e vetmja që tronditi Kosovën gjatë këtij viti.

    Rajoni i Dukagjinit u trondit edhe nga një tjetër vrasje në shtator.

    Në Pejë ndodhi një vrasje e dyfishtë. Në këtë qytet pas të shtënave me armë zjarri të vrarë mbeten kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës dhe ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Deçanit, ndërsa mbeti i plagosur vëllai i këtij të fundit.

    Në gusht të këtij viti në Ferizaj ndodhi një krim tronditës.

    18-vjeçarja M. O. u soll pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt.

    Ajo dyshohet se vdiq si pasojë e torturave fizike që për dy ditë ia kishte shkaktuar personi që po bashkëjetonte me të, Dardan Krivaqa, që tashmë është në paraburgim.

    Por as muaji mars nuk ishte i qetë sa u përket krimeve të rënda në Kosovë.

    Me 13 mars në orët e para të mëngjesit, në lagjen “Emshir” të Prishtinës u gjenden pa shenja jete një grua 44-vjeçare dhe një mashkull po ashtu 44-vjeçar.

    Bëhet fjalë për një vrasje nga ish-bashkëshorti, që vrau gruan dhe më pas veten.

    Natën e Vitit të Ri një vrasje tejet e rëndë ndodhi në Pozhoran të Vitisë.

    Atje për familjen Zuka pushimet u kthyen në tragjedi. Kryefamiljari dyshohet se vrau gruan dhe dy djemtë e më pas edhe veten.

    Familja kishte ardhur për pushime nga Zvicra.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!