Vuçiq: Albin Kurti e fyeu vajzën time, nuk është e ndershme kjo

Presidenti Serb, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë ekskluzive për Klan Kosova e ka pranuar që momentalisht raportet mes shtetit të tij dhe Kosovës nuk janë në pikën më të mirë dhe ka folur në lidhje me atë se çfarë po ndodh me dialogun.


“Raportet në mes të Beogradit dhe Prishtinës nuk janë të mira sepse kemi qëllime dhe interesa të ndryshme. Unë mendoj që ose do ta kuptojmë njeri-tjetrin dhe përmes kompromisit të vijmë deri tek zgjidhja dhe kjo është që njëra anë të pranojë atë që dëshiron vetëm ajo dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë. Ose do të kemi zgjidhje kompromisi, ose do ta shkatërrojmë njëri-tjetrin dhe njerëzit ta braktisin hapësirën ku jetojnë”.

“Sa i përket Serbisë ne jemi të gatshëm për zgjidhje kompromisi. Shqiptarët në Kosovë le të mendojnë për këtë”.

“Unë kurrë nuk kam folur për Preshevën, Bujanocin apo Medvegjën. Duhet të kuptojmë që territori që është kontestues është Kosova dhe gjysma e shteteve të botës nuk e kanë njohur. Nëse mendojnë se janë shtet i pavarur atëherë kjo është fund i gjithçkaje”.

Vuçiq u pyet po ashtu edhe në lidhje me Albin Kurtin, ndaj të cilit deklaroi se kishte hatërmbetje.

“Albin Kurti e ka fyer vajzën time jomadhore. Njerëzit e ndershëm këtë thjesht nuk e bëjnë. Sa i përket raporteve në mes të Beogradit dhe Prishtinës, nëse s’doni kompromis, s’ka problem por na bëni me dije dhe ne do të jemi në rregull e do të jetojmë kështu. Ne e kemi situatën më të mirë se ju dhe do të thoja me një autoritet më të lartë në komunitetin ndërkombëtar se sa ju. Më vjen keq por kjo është zgjedhja juaj dhe s’ka problem rreth kësaj”.

“Unë jam për një zgjidhje kompromisi dhe të gjithë këtë e kuptojnë, por të gjithë shtiren sikur janë budallenj në të gjitha anët”.

Ndërkaq, në lidhje me atë që Kurti nuk e do Listën Serbe në qeveri, Vuçiq u përgjigj: “Duhet ta respektoni legjitimitetin e këtyre njerëzve. Janë 53 mijë vota dhe ky nuk është numër i vogël i votave kur flasim për territorin e “Kosovës dhe Metohisë”. Nuk respektoni dikë që ka fituar 95 përqind në kuadër te popullit të vet por doni të punoni me dikë prej serbëve që ju pëlqen juve privatisht. Mendoj që kjo nuk është e përgjegjshme. Nëse nuk doni të bashkëpunoni me Listën Serbe, nuk doni të bashkëpunoni me Serbinë dhe nuk doni zgjidhje kompromisi dhe mendoj që ky është mesazhi i tyre dhe kjo është zgjedhja juaj”.

Në insistimin e gazetarit se çka ai mendon për Kurtin në përgjithësi, Vuçiq e vuri theksin sërish tek çështja me vajzën e tij: “Nuk merren me këtë. Njerëzit e pjekur dhe serioz nuk i fyejnë kurrë vajzat jomadhore, por ai as që ka kërkuar falje për këtë. Duhet të mësohet të bëhet një punë e tillë”.

“Ai mendon që sa më i ashpër që është ndaj serbëve do të fitojë më shumë vota, por jo. Në fund edhe shqiptarët pas tre vjetësh do të pyesin se çka u bë, ashtu siç do të më pyesin mua serbët, përse nuk ke arritur marrëveshje me shqiptarët”.

“Nuk e di për çfarë masash reciprociteti flet ai. Nuk i lexoj fare dhe janë këto rrëfimet e kota dhe as që dua t’i komentoj. Nuk kam kurfarë problemi që ta komentoj çdo deklaratë dhe të përgjigjem në çdo pyetje, por nuk është Albin Kurti ‘Hegeli’ që ta komentojmë aq shpesh”.

Presidenti serb u shpreh edhe në lidhje me moslejimin e futbollistëve serb për të luajtur në Kosovë.

“I kanë ndaluar futbollistët e “Zvezdës” që të luajnë futboll. Pse s’i keni lejuar? Keni treguar: ‘Jemi të fortë dhe e kontrollojmë, e dimë këtë edhe pa gjest’”.

“Kenedi ka pas thënë: si të negocioni me atë që thotë ‘ajo që është e imja është e imja, por për atë që është e jotja mund të negociojmë’. Këtu nuk ka negociata. A mendoni që kjo është reale? Pse atëherë e gënjeni popullin tuaj? Pse nuk ia thoni të vërtetën popullit tuaj. Unë popullin tim nuk e gënjej. Kam marrë shumë goditje vetëm pse popullit tim ia kam thenë të vërtetën”.“Për negociata nevojitet që dy palët të kenë hapësirë për të cilën do të mund të negocionin – por këtu është që ‘ne nuk e japim atë që mendojmë që është e jona dhe ajo që mendojmë se është e juaja për atë mund të negociojmë’… kështu nuk bën!, u shpreh Vuçiq.