×
  • Lajme
  • Lajme / Samiti në Tiranë

    Zelenskyy: Rusia nuk do të ndalet vetëm në Ukrainë, rrezikohet edhe Ballkani

    Reporteri
    28 Shkurt 2024 | 14:21

    Në përfundim të Samitit të Ukrainës dhe vendeve të Evropës Juglindore, presidenti Volodymyr Zelenskyy, apeloi që të vijojë ndihma e Perëndimit ndaj Ukrainës, pasi Rusia nuk do të ndalet vetëm në vendin e tij.

    Zelenskyy ka thënë se Moska nuk e ka gëlltitur rezistencën e Ukrainës dhe ndaj mund të kërkojë destabilizimin e vendeve të vogla.

    Sipas presidentit të Ukrainës, vendet Baltike, Ballkani, Moldavia dhe të gjitha vendet ku Bashkimi Sovjetik ka pasur ndikim janë të rrezikuara nga Moska.

    “Rusia nuk e ka gëlltitur situatën në Ukrainë dhe nuk ia ka dalë dhe në fakt i jam shumë mirënjohës shteteve tuaja dhe të gjithë partnerëve që kanë ndihmuar Ukrainën. Sot nuk duhet të bëjmë pauza por të forcojmë Ukrainën pasi Rusia nuk do të ndalet. E diskutuam dhe me kryeministrin, Rusia del në përfundime për gabimet që ka bërë në Ukrainë dhe për rrjedhojë do të destabilizojë më tej, nëse do të ketë mundësinë e këtyre pauzave dhe nëse do të mbijetojë në këtë agresion që ka nisur në Ukrainë, e kam fjalën për të mbijetuar politikisht. Do të përdorë taktika të tjera në ato vende ku mund të përfitojë suksese të menjëhershme dhe që janë vende të vogla. Kësisoj besoj se vendet Baltike, Moldavia, vendet e Ballkanit, kudo që Bashkimi Sovjetik ka qenë prezent janë të rrezikuara”, ka thënë Zelenskyy.

    Ai u shpreh gjithashtu se Ukraina dhe Evropa juglindore duhet të jenë bashkë për t’i siguruar stabilitet rajonit.

    “Ne natyrisht mbështesim dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, por edhe ju duhet të na mbështesni në rrugëtimi tonë. Faleminderit për bashkëpunimin dhe vullnetin për këtë samit. Ukraina dhe Evropa juglindore duhet të bashkëpunojnë, duhet të merrni pjesë në samitin global të paqes. Luftën e filloi një person i vetëm, paqen duhet të vëmë të gjithë së bashku”, tha Zelenskyy./Euronews.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!