×
  • Lajme
  • Lajme

    Zgjedhja e kryeprokurorit të Shtetit, Gjykata e Apelit ia refuzon ankesën Shqipdon Fazliut

    Reporteri
    07 Shtator 2022 | 20:27

    Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e prokurorit dhe kandidatit për Kryeprokuror, Shqipdon Fazliu dhe ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, e cila e kishte hudhur poshtë padinë si të paraqitur pas kalimit të afatit. 

    Në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës së Apelit, thuhet se ankesa e prokurorit Fazliu refuzohet si e pabazuar.

    Presidentja Osmani, mosdekretimin deri tash të Blerim Isufajt i zgjedhur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, e kishte lidhur pikërisht me këtë kontest.

    Gazeta Online Reporteri.net ka raportuar sot se Apeli e ka marrë vendimin për këtë rast.

    Gjykata e Apelit ka marrë vendimin për “kontestin” rreth Kryeprokurorit të ri, pritet shpejt shpallja e aktgjykimit

    Me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti për Çështje Administrative, të 2 gushtit 2022, është vendosur të hidhet poshtë padia si e paraqitur pas kalimit të afatit.

    Ndaj këtij vendimi, në afat ligjor kishte paraqitur ankesë prokurori Fazliu, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës administrative, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.

    Përmes kësaj ankese, i njëjti kishte propozuar që ankesa e tij të aprovohet si e bazuar dhe vendimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje në shkallën e parë.

    Lidhur, me ankesën e prokurorit Fazliu, siç thuhet në vendimin e Apelit përgjigje në ankesë ka paraqitur Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), duke i propozuar Apelit që ankesa e prokurorit Fazliu të refuzohet si e pabazuar.

    Në arsyetimin e vendimit të Apelit, thuhet se kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar së përfundimi dhe qëndrimi juridik i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që aktvendimi i atakuar nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore.

    Gjithashtu, sipas këtij arsyetimi thuhet se edhe Ligji për Konfliktet Administrative është zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë.

    “Gjithashtu edhe Ligji për Konfliktet Administrative është zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, ngase edhe sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj Gjykate, në rastin konkret nuk është plotësuar prezumimi procedural që i referohet afatit për inicimin e konfliktit administrativ, ashtu siç është përcaktuar me 27 paragrafi 1 të Ligjit për Konfliktet Administrative, dhe duke u nisur nga gjendja e tillë e çështjes, kolegji apelit e pranon në tërësi si të drejtë dhe të ligjshëm një përfundim të tillë të Gjykatës së shkallës së parë” thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.

    Apeli në këtë vendim ka theksuar se paditësi pas pranimit të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, më 28 korrik 2022, ka ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamenti për Çështje Administrative, duke lëshuar kështu afatin prej 30 ditësh, për të ushtruar padi në gjykatë, ashtu siç kërkohet me nenin 27 paragrafi 1 të Ligjit për Konfliktet Administrative, i cili nen përcakton se “1. Padia paraqitet brenda tridhjetë (30) ditësh, që nga data e dorëzimit të aktit administrativ përfundimtar palës”.

    Në këtë vendim, thuhet se gjykata është marrë edhe me pretendimin e paditësit se “Paditësi ka argumentuar se deri te data e ushtrimit të padisë ekziston gabimi i hapur i paraqitësit në drejtimin e padisë në organin jo kompetent dhe shkaku i arsyeshëm që nuk ka mund të parashikohet e as të evitohet, se janë krijuar praktika të atilla që lidhur me kërkesat për kandidatë të Kryeprokurorit të Kosovës që fillimisht do të duhej drejtoheshin Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamentit për Çështje Administrative, vendosë Gjykata Kushtetuese, pa u iniciuar paraprakisht rasti në gjykatën kompetente. Provë: Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, KI100/14: KI34/17: si dhe K155/17…”.

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!