×
  • Lajme
  • Zgjedhjet Lokale 2021

    KQZ shpërndan materialin zgjedhor, mbi 1 milion e 136 mijë fletëvotime të shtypura

    Reporteri
    13 Nëntor 2021 | 12:24

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shpërndarjen e materialit kryesor për raundin e dytë zgjedhor. Mes tyre edhe fletëvotimet për zgjedhjet që do të mbahen nesër. Nga zyrat qendrore të QNR-së, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, materialet do të dërgohen në depot e komisionerëve në 21 komuna.

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi tha se në zgjedhjet për kryetarë të komunave janë shtypur 1 milionë e 136 mijë e 150 fletëvotime për 21 komuna.

    “Sipas planifikimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri shpërndarjen e materialit kryesor zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet për në komunat e ndryshme të Kosovës. Ky material i rëndësisë së veçantë, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, është dërguar në depot e komisioneve komunale të, në 21 komuna ku do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave. Sipas vendimit të KQZ-së, për Zgjedhjet për Kryetarë të 21 Komunave janë shtypur 1 milion e 136 mijë e 150 fletëvotime. Edhe për këto zgjedhje, janë shtypur më pak fletëvotime, rreth 10% apo rreth 125 mijë fletëvotime më pak se numri përgjithshëm i votuesve që u takojnë këtyre 21 komunave Kjo është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore”, ka thënë ai.

    Më tutje, Elezi thotë se janë rreth 2 mijë e 450 persona me nevoja të veçanta, që pritet të votojnë nesër, e për të cilët janë angazhuar 80 ekipe mobile.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të angazhojë 80 ekipe mobile, numri i qytetarëve të regjistruar si votues me nevoja të veçanta është rreth 2 mijë e 450, prej të cilëve rreth 1 mijë e 550 janë votues të cilët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për shkak të paaftësisë fizike apo shëndetësore, ndërsa 899 janë votues të cilët janë në hospitalizim në shtëpitë e caktuara për të moshuar, të burgosurit dhe të paraburgosurit. Po ashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mundësojë votimin e qytetarëve të cilët fatkeqësisht janë të infektuar me COVID-19 dhe që për shkak që masave nuk mund të dalin nëpër vendvotime për të votuar. Fatmirësisht numri i rasteve aktive me COVID-19 është i ulët dhe rrjedhimisht edhe numri i votuesve nga kjo kategori.”, shton Elezi.

    Raundi i dytë i zgjedhjeve komunale do të mbahen nesër më 14 nëntor në 21 komuna të Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!