×
  • Lajme
  • Zgjedhjet Lokale 2021

    Kurti u mor me punët e shtetit nuk doli në fushatë, Krasniqi e Abdixhiku synojnë t’i rikthejnë Vushtrrinë e Podujevën

    Reporteri
    30 Shtator 2021 | 23:53
    Kronika Zgjedhore - Reporteri - Zgjedhjet lokale 2021

     Fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit po vazhdon.


    Por, duket se punët e shumta në Qeveri dhe arritja e marrëveshjes për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e kanë penguar liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti që të dalë nëpër komuna në kërkim të votës për kandidatët e partisë së tij.

    Në faqen e Lëvizjes Vetëvendosje nuk është postuar ndonjë aktivitet zgjedhor i Kurtit.

    Kurse, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës ka qëndruar sot në Vushtrri, ku tha se ky qytet i vjetër e lokalitet meriton vëmendje më të madhe institucionale dhe një qeverisje të mirë e transparente.

    Në një postim në Facebook, Krasniqi është shprehur se kjo komunë në katër vitet e fundit ka përjetuar vetëm keqqeverisje dhe stagnim, por PDK është më se e vendosur që ta zhvillojë atë me Ferit Idrizin.

    “Kjo vendosmëri e jona, është në esencë vullnet dhe pritje e qytetarëve të Vushtrrisë, që janë lodhur nga qeverisja e deritanishme. Besimin e marrë nga qytetarët e Vushtrrisë pa dallim, pas 17 tetorit, Ferit Idrizi do ta arsyetojë me punë e përkushtim, me projekte madhore për zhvillimin dhe përparimin e kësaj komune.”, shkruan Krasniqi.

    Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zgjedhur t’i japë mbështetje kandidatit për Podujevën, Komunë kjo të cilën e humbën në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit të kaluar pas një udhëheqjeje të gjatë me të.

    Në Llap, LDK-ja i ka prioritizuar rininë e shëndetësinë, derisa në komunat e tjera kandidatët janë zotuar edhe për furnizim me ujë e trajtim të mbeturinave.

    Komunën që e humbën në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, Lidhja Demokratike e Kosovës po synon ta kthejë në tetor të këtij viti.

    Në Llap, kandidatit Ekrem Hyseni ka shkuar për t’i dhënë mbështetje kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku.

    Aty Abdixhiku pati fjalët më të mira për Hysenin, duke thënë se partia që udhëheq mburret me të.

    Pas disa takimeve që ka pasur në Prizren, kandidati Anton Quni është shprehur se programi i tij qeverisës e zgjidh problemin e furnizimit me ujë për të gjithë banorët, ndërsa për problemet e tjera infrastrukturore, ai është zotuar se do t’i rregullojë që në vitin e parë të qeverisjes.

    Në Mitrovicë, kandidati Armend Agolli ka zgjedhur të merret me kundërkandidatin e tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Agim Bahtiri.

    Ndërsa kandidati për Gjakovën, Teki Shala, pas një vizite në një çerdhe private, është zotuar se me ardhjen e tij në krye të Komunës, në dy vjetët e parë do të ndërtojë katër çerdhe në katër regjione të Komunës dhe dy të tjera brenda qytetit./Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!